Nga rindërtimi te vaksinimi antikovid/ Mandati i tretë për të çuar përpara reformat

TIRANË, 20 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Fieri se “mandati i tretë nuk është qëllim në vetvete, por mjet për të realizuar qëllimet që janë shumë të qarta”.

Në një bashkëbisedim me qytetarë të Fierit, Rama tha se “së pari, mandatet nuk janë për mua qëllime, por janë mjetet”.

“Unë nuk hyj tek ata që i lë në mes betejat dhe punët dhe këtu ka disa disa beteja shumë të rëndësishme për të fituar, që nuk janë fituar ende . Unë nuk mendoj se të tjerët mund t’i fitojnë, përkundrazi jam i bindur që të tjerët nuk i fitojnë dot. Nga beteja për të futur në shtëpi ata që janë akoma sot në pritje, pasi jam i bindur se historia e tyre do të kthehej në një kalvar ndërkohë që ne e kemi vënë në vijë dhe do ta çojmë deri në fund dhe nuk është një betejë mekanike se nuk ka rëndësi kush qeveris dhe shtëpitë do të ndërtohen, por ku dhe si do të ndërtohen”, tha Rama.

Po ashtu, Kryeministri solli në vëmendje betejën e jashtëzakonshme për vaksinimin, e cila është e lidhur pikërisht me aftësitë e qeverisë dhe me aftësinë e lidershipit të vendit për të garantuar vaksinat”.

“Kush do të ta fitojë këtë betejë? Pastaj janë të gjitha projektet për të cilat kemi diskutuar gjerë e gjatë që duhen çuar deri në fund. Çfarë do të ndodhte me gjithë këtë projekt? Rilindja Urbane është një projekt në vazhdim transformues që nuk ka të bëjë me fasadën por me ekonominë. Nëse nuk e ke këtë vizion projekti nuk vazhdon ose do të deformohet. Nuk është e rastit se u desh të kalonte çerekshekulli që Shqipëria të ripërtërinte zemrat e qyteteve. Qytetet ishin me zemra të ndalura dhe sot u është ripërtërirë dhe natyrisht që ka akoma gjymtyrë të mpira dhe qytetarë që mund të thonë: dakord zemra, por unë jam këtu te gishtërinjtë”, tha Rama.

Kjo, tha ai, “është arsye pse duhet mandati i tretë se duhet çuar ripërtëritja te çdo gjymtyrë e qytetit dhe e vendit”.

“Folëm për dyfishimin e tokës në Shqipëri, por sa është rritur kapaciteti i vaditjes dhe kullimit? Nëse nuk do të ishte kështu me stuhitë e javës së fundit, ne do të kishim përjetuar një qamet. Faktikisht përmbytjet ishin shumë të kufizuara këtë vit për intensitetin që kanë pasur reshjet e bora në krahasim me më parë dhe kjo ka arsye, por ka akoma për të bërë”, vijoi ai.

Kryeministri tha se “nëse unë do të mbaj një fjalim për çfarë nuk shkon, do të isha i gatshëm për sytë e shumëkujt që të merrja drejtimin e PD-së”.

“Realisht do të dukesha demokrati më vigjilent se jam i vetëdijshëm çfarë nuk shkon. Në një garë për kupën e të pakënaqurit nga qeveria do ta pretendoja, se nuk jam i kënaqur. Po të isha i kënaqur nuk do të kërkoja të vazhdoja këtë punë dhe do të thosha boll se kam hyrë në borxh me familjen, sidomos me të voglin. I kuptoj shumë mirë njerëzit e pakënaqur, por kjo pakënaqësi më shtyn për më tutje. Jemi të pakënaqur sepse ende nuk e kemi Shqipërinë siç e duam. Shqipëria sot në të gjithë sektorët është njësoj si kantieret e rindërtimit. Po ta krahasosh Thumanën sot me të nesërmen e tërmeti nuk ka krahasim. Ka infrastrukturën, kanalizimet, karabinatë, por nuk është akoma një lagje ku mund të banosh duke qenë rehat”, tha Rama.

Kështu, sipas tij, “është sot Shqipëria në çdo sektor dhe duhet mbaruar ky projekt”. “Këto beteja nuk mbarojnë kurrë, por duhet të përmbyllim çfarë kemi nisur me reformën në shëndetësi. Është një fazë historike kjo dhe duhet ta mbarojmë ne reformën e energjisë që ka ecur shumë. Duhet t’i bëjmë ato gjëra. Janë të gjitha në proces dhe t’i lësh gjërat përgjysmë apo treçerek, të ndërpresësh këtu punën është të tradhtosh qëllimin dhe njerëzit. Faktikisht, po të ishte thjesht një dëshirë egoiste e verbër personale për t’i rënë shkurt e për të qenë rehat, unë nuk jam dikush që nuk di të bëj gjëra të tjera”, tha Rama.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.