Bushati: Sfida e pandemisë në urbanistikë, teknologji dhe ekonominë e re

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/ Ashtu sikurse i gjithë globi edhe Shqipëria prej një viti tashmë po përballet me pandeminë COVID-19, e cila i ka dhënë një goditje të fuqishme ekonomive në mbarë botën.

Edhe ekonomia shqiptare pësoi një goditje nga COVID-19, megjithatë hapat e ndjekura nga qeveria shqiptare kanë ndikuar në rimëkëmbjen e saj.

Ishin pikërisht këto temat e zhvilluara midis Kryetarit të PS Tiranë, Ervin Bushati me të rinjtë dhe lektorët e universiteteve.

Në fjalën e tij, Bushati theksoi se kriza e pandemisë COVID-19 përveç goditjes së madhe ka ndikuar edhe në zhvillimin e teknologjisë, si porta e së ardhmes.

“COVID-19 si nje krizë e shoqërisë ka ndërprerë mënyrën se si funksiononte bota në çdo dimension. Njerëzit nuk ishin të përgatitur për goditje të tilla. Ato që kemi kaluar nuk janë mësime por parashikime, lidhur me atë që do të ndodhë në të ardhmen. Kjo krizë përveç goditjes së madhe që na ka dhënë patjetër që ka ndikuar në ekonomi, por në të njëjtën kohë do të thotë edhe mundësi. Krizat hapin portën e teknologjisë, e cila pret me durim derisa shoqëria të jetë gati për ta pranuar. Zotërimi i teknologjisë është gjithnjë në favor të njerëzimit”, tha Bushati.

Këto momente krize janë momente oportunitetesh, theksoi më tej Bushati të cilat sipas tij i hapën rrugën zhvillimit të teknologjisë, ndryshimeve arkitekturore dhe urbanistike.

“Reagimi i shoqërisë shqiptare ishte i duhuri sepse pandemia erdhi pas tërmetit dhe shoqëria ishte vigjilente dhe gati për të reaguar. Shqipëria ka pasur më pak raste krahasuar me vendet e tjera. Kjo falë mirëmenaxhimit të situatës nga qeveria por edhe reagimit shumë të mirë të qytetarëve. Pandemia zhvilloi brenda një viti teknologjinë dhe arkitekturën aq sa do të ishte zhvilluar për 10 vite”-theksoi Bushati.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.