Vijon vaksinimi antikovid në Shtëpinë e të Moshuarve në Fier/ Rama: Asnjë fatalitet, i mbyllët derën armikut të padukshëm

TIRANË, 19 shkurt /ATSH – I. Vata/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fier tek Shtëpia e të Moshuarve ku vazhdon vaksinimi për të moshuarit e për personelin që kujdeset në shtëpitë e përkujdesit afatgjatë, për të vijuar sipas planit të vaksinimit me gjyshërit +80 vjeç.

Në takim me të moshuarit në Fier Kryeministri Rama tha se, “sot kamë ardhur për t’ju takuar ju në radhë të parë dhe stafin këtu, sepse gjithë personeli ka bërë një punë të jashtëzakonshme duke i shpëtuar jetën të gjithë të moshuarve”.

“Ju u mbyllët brenda dhe i mbyllët derën armikut të padukshëm dhe fatmirësisht nuk kemi asnjë fatalitet”, u shpreh Rama.

Duke falenderuar dhe personelin që kujdeset për të moshuarit Rama tha se, “s’kemi pas asnjë fatalitet. Sepse ju u mbyllët brenda bashkë me ta. Latë familjet edhe  i mbyllët derën armikut të padukshëm. Shumë respekte dhe shumë dhe mirënjohje për ju”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu informoi Kryeministrin  se, “janë 60 veta që do të vaksinohen sot, të cilët jemi duke monitoruar. Procesi ka ecur mirë deri më tani, ndërkohë që janë bërë të gjitha analizat e të moshuarve”.

“Procesi ka filluar, vaksinimet e para janë bërë, kemi ecur me Shtëpinë e të Moshuarve dhe ato publike dhe jo publike. Kjo është administruar nga bashkia Fier ku janë rreth 40 të moshuar që vaksinohen sot, por ndërkohë vaksinohen dhe stafet që shërbejnë për ta”, tha ajo. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.