Tabaku: Qeveria mendon vetëm për tendera, vendi ka mbetur në vendnumëro

TIRANË, 19 shkurt /ATSH – I. Vata/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ishte sot në rrugën “Qemal Stafa” ku u takua me banorët e zonës të dëmtuar nga tërmeti.

Banorët u ankuan se askush nga qeveria apo bashkia nuk i ka pritur për të vlerësuar gjendjen e tyre të banimit.

Shtëpia e një pensionisti, e cila u shkatërrua nga tërmeti 14 muaj më parë, është ende gërmadhë, teksa qeveria nuk i jep zgjidhje se çfarë do të ndodhë me të.

Në lidhje me shqetësimin e banorëve, Tabaku tha se ky pensionist jeton në një shtëpi thuajse të rrënuar me një pension qesharak prej 100 mijë lekësh. Këta janë vetëm për xhepat e tyre.

“Shteti nuk është për shqiptarët. Edi Rama mendon vetëm për të dhënë tendera e koncesione, nuk vjen tek shtëpia juaj. Vendi ka mbetur në vendnumëro. Pensionet kanë mbetur në vendnumëro. E shihni tek pensionet, rrogat, taksat. Vetëm dështim. Rama dhe Veliaj janë fatkeqësi që duhet të largohen. Nuk ka socialist të ndershëm që mund t’i votojë më. Këta janë vetëm për veten e tyre. Nuk mund të jetojnë kështu shqiptarët në mes të Tiranës”, tha Tabaku.

Ndërsa ankesës së një zonje, e cila shprehu shqetësimin e manipulimit të hartave në Kadastër, Tabaku tha se ky është problemi që ka Tirana dhe Shqipëria sot. Po të jesh “i fortë”, merr leje ndërtimi, sepse paguhet tek Edi Rama dhe Erjon Veliaj, po të jesh i varfër të zë shtëpia brenda. Më vjen keq për Tiranën, sepse nuk është më ajo që ka qenë.

“Edi Rama dhe Erjon Veliaj kanë prishur bukurinë e rrugicave, nuk i lë njerëzit të zhvillojnë pronën. Këtu e gjithë Shqipëria ka mbetur në vend numëro. Vetëm pesë veta kanë përfituar. Nuk është kjo Shqipëria që duam ne. Rrugicat janë të boshatisura sepse të rinjtë janë larguar. Nuk është kjo Shqipëria që meriton të hyjë në BE. është fatkeqësi që ndodhemi në vend numëro me pagat, pensionet, investimet me arsimin. Takuam këtu të djathtë dhe të majtë dhe nuk ka një njeri që të jetë i kënaqur. Socialistët e ndershëm përditë na takojnë dhe na ndalojnë se do të mbështesin Partinë Demokratike. Është fatkeqësi që të zihen oborret e shkollave dhe të bëhen pallate dhe të mos ketë një terren sportiv. Është fatkeqësi që sot rrugicë më rrugicë vetëm kompanitë e forta dhe të mëdha mbështeten dhe njerëzit e varfër sulmohen dhe lihen në kushte mbijetese”, tha Tabaku.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.