Noka: Prej një muaji, tre fshatra të Kukësit të bllokuara nga rrëshqitjet e dherave

TIRANË, 19 shkurt /ATSH – I. Vata/ Ish-deputeti i PD-së Flamur Noka deklaroi sot se prej një muaji tre fshatra të Kukësit janë të bllokuara nga rrëshqitjet e dherave për shkak të reshjeve të dendura.

Nga fshati Gdhesht në Kukës, Noka tha se kryetari i bashkisë së Kukësit, fokusohet vetëm në disa komuna, duke lënë zonën të braktisur.

“Nga bllokimi i rrugës fëmijët prej 4 javësh nuk shkojnë në shkollë, nuk ka as infermier për të bërë qoftë edhe një gjilpërë, çdo ditë e më shumë fshati po braktiset”, tha një banor. Përveç faktit të izolimit, banorët shprehin shqetësimin se situata e tyre sa vjen e rëndohet edhe për shkak të kushteve të rënda të jetës, ku u mungojnë uji dhe dritat”, tha ai.

Po ashtu, Noka shtoi se, “rrugë jo, investim jo, shëndetësi dhe arsim këtu nuk ka. Detyra jonë është ta bëjmë faktike, se si është gjendja. Pastaj le të dalë përfaqësuesi i Rilindjes apo kryeministri, le të thotë nëse ne po themi diçka që nuk është. Ju s’keni rrugë. Ekonomia juaj është në mjerim. Tre fshatra të bllokuara. Modeli i tyre janë projektet 3D me kulla dhe me rrugë, dhe sipas tyre kjo është Shqipëria e Rilindjes”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.