Gjylameti: Mandati i tretë për investimet infrastrukturore më të rëndësishme që ka parë Shqipëria ndonjëherë

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti u shpreh sot në një intervistë televizive se Presidenti Ilir Meta po sillet si një kryetar partie, duke delegjitimuar pozicionin e tij si kryetar shteti.

“Fatkeqësisht ne nuk kemi një president, por kemi një kryetar partie politike de facto. Kjo nisur nga ajo që deklaron apo veprimet që bën në territor Presidenti i Republikës. Unë besoj se çfarëdo që të niset të bëjë, apo çfarëdolloj qëllimi të ketë, ai po delegjitimon pozicionin që përfaqëson dhe nuk po arrin asgjë tjetër. PS nuk do të merret me këtë, por do të merret me atë që ka më shumë rëndësi, qytetarët”, – tha Gjylameti.

“Gjithkush votohet për të qenë në lartësinë e detyrës që i jepet mundësia të ushtrojë, por përgjegjësia mbi veprimet që ndërmerr është personale. Është fatkeqësi që një kryetar i shtetit të dalë në një fushatë të mirëfilltë. Këtë është duke e bërë gjithë kohës, ai po drejton një parti politike”, – theksoi Gjylameti.

Gjylameti theksoi se PS ka një sërë arritjesh dhe gjithkush që kërkon të jetë pjesë e kësaj familje politike, ka pse të jetë krenar.

“LSI është një parti që ka dalë nga PS, sikundër dhe shumë lëvizje të tjera. Ajo çfarë ndodh, ndryshe nga parimi që kanë të larguarit e figurave kryesore apo kyçe politike të partisë së tyre, ne jemi ndryshe, jemi parti shumë e hapur ndaj gjithë faktorëve dhe figurave që janë një vlerë e shtuar. Në këtë element gjithkush që zgjedh të jetë pjesë e PS, ka një sërë arritjesh se përse duhet të jetë krenar dhe të jenë të mirëpritur në PS. Besoj që kemi treguar gjatë gjithë kohës, që ndryshe nga partitë e tjera që kanë interesa personale, ne jemi në fazat ku jemi gjatë gjithë kohës në punë për të qenë në interes të qytetarëve që na kanë besuar për të drejtuar vendin”, – tha Gjylameti

Gjylameti nënvizoi se PS do të marrë minimalisht 74 mandate. “Nuk ka asnjë aryse për të besuar që ne nuk do jemi një forcë në mazhorancë, në qeverisje, apo të kemi mundësi për mazhorancë për të udhëhequr vendin. Synojmë të kemi minimalisht 74 mandate dhe këtë do ta arrijmë”, – theksoi deputetja socialiste.

Në argumentet e saj, Gjylameti deklaroi se PS është gjithnjë pranë qytetarit.

“Ndryshe nga sa kanë zgjedhur partitë e tjera, që dogjën mandatin dhe besimin e qytetarëve, ne kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët, dhe nuk kemi pritur zgjedhjet për të shkuar tek qytetarët. Ata, opozita, janë të zotët të bëjnë premtime, por asnjëherë t’i mbajnë ato. Ne kemi bërë premtimet tona, i kemi realizuar dhe nga mandati i parë, në mandatin e dytë kemi patur dhe mbështetje më të madhe, falë vizionit të Kryeministrit, falë vizionit dhe angazhimit të PS, që është gjatë gjithë kohës në komunikim me qytetarët”, – theksoi Gjylameti.

Deputetja socialiste tha se qeveria ndjen mbi supe peshën e përgjegjësisë për të vijuar reformat dhe investimet strategjike që Shqipëria nuk i ka parë ndonjëherë. “Unë mendoj se më shumë se peshën e pushtetit, ndjejmë peshën e përgjegjësisë për të vijuar më tutje me reformat e ndërmarra në Shqipëri, për të ndarë njëherë e mirë atë lloj rrugëtimi që ka patur më parë qeverisja në Shqipëri, përkundrejt asaj që bën PS. Që në momentin e parë që kemi ardhur në pushtet kemi patur në fokus reformat shtetformuese”, – tha ajo.

“Në katërvjeçarin e parë kemi parë një sërë reformash, disa të dhimbshme, por të nevojshme, si reforma në energji, pensione, shëndetësi, drejtësi, etj. Në katërvjeçarin e dytë, falë reformave në të parin, vijuam në investime strategjike, dhe një sërë projektesh të rëndësishme në të gjithë Shqipërinë, Rilindja urbane, apo shumë të tjera, duke prekur cep më cep çdo njësi administrative të Shqipërisë, për të vijuar më pas në mandatin e tretë me tri nga shtyllat kryesore, që besoj falë një angazhimi personal jo vetëm të Kryeministrit, por të të gjithë ekipit për t’u ringritur pas fatkeqësisë natyrore si tërmeti dhe asaj ndaj pandemisë”, – tha Gjylameti.

“Mandati i tretë do të jetë mandati i rimëkëmbjes së ekonomisë. Do të jetë mandati i një lufte edhe më të ashpër me këtë armik të padukshëm, dhe krijimit të infrastrukturës së duhur shëndetësore me kapacitete dhe burime njerëzore, e duke vijuar me investimet infrastrukturore më të rëndësishme që ka parë Shqipëria ndonjëherë, për t’u ndarë nga e shkuara. Kemi realisht nevojë për t’u ndarë nga e shkuara. Nuk na ka munguar energjia dhe aq më pak jemi të lodhur, për ta bërë këtë vend më të mirë për fëmijët tanë”, – përfundoi Gjylameti.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.