Alizoti në Berat: Çdo njeri ka të drejtë për jetë dinjitoze

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se ka harruar njerëzit në nevojë.

“Drejtuesi politik i PD në qarkun e Beratit, Tomorr Alizoti vizitoi një familje të rrënuar ekonomikisht, e cila jeton pak metra larg sheshit ku qeveria shpenzoi rreth 3 milionë euro për Rilindjen urbane”, njoftoi Partia Demokratike.

“Zonja e cila është invalide si pasojë e një aksidenti, rrëfeu se ajo së bashku me djalin e saj, jetojnë në një shtëpi të pabanueshme, pa ushqim, pa të ardhura dhe pa ngrohje për këto ditë të ftohta”, vijoi PD.

“Qeveria më kërkon taksa ndërkohë më jep 27 mijë lekë të vjetra. Hekur nuk përdor, dush nuk përdor, korent nuk përdor, sepse nuk kam me çfarë t’i paguaj?” – tha ajo.

“Për t’u larë ujin e ngrohim tek soba me dru dhe lahemi”, tha i biri.

“Edhe unë në moshën e djalit tuaj kam jetuar në këto kushte dhe mbështetjen do e keni në maksimum. Ata nuk e dinë se çfarë është varfëria. Është mjerim, masakër dhe turp të ndërtosh poshtë në Berat rreth 3 milionë euro ku të flenë makinat dhe nuk kanë ku të flenë njerëzit. Ne kemi një mision, t’i përzemë me votë. Është fatkeqësi që poshtë derdhen miliona dhe këtu janë njerëzit pa bukë, ky është një tmerr. Ata janë njerëz pa shpirt, kanë qenë dhe do të jenë. Çdo njeri ka të drejtë për jetë dinjitoze dhe të rrisë fëmijët si gjithë bota”, u shpreh Alizoti. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.