Realizohen 80 % e punimeve në Lungomare 2/ Këtë sezon turistik, Vlora me plazh të ri publik me 5 yje


TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Kryeministri Edi Rama inspektoi sot punimet në Lungomare 2 në Vlorë, ku janë realizuar 80 % e punimeve dhe po merr formë projekti i bukur i transformimit rrënjësor të një hapësire të humbur 30 vjet mes kioskave, llozhurave e plehrave.

Kryeministri tha se, “së shpejti përfundojnë edhe dy pishinat, ajo olimpike e ajo për fëmijë dhe këtë sezon turistik Vlora do të ketë një plazh të ri publik, me 5 yje”.

Duke iu referuar investimeve private që janë realizuar përgjatë Lungomare 2, Rama tha se “kurrë nuk do të bëhej ai hotel dhe gjithë ai zhvillim atje, po të mos bëhej Lungomare 2”. “Gjithë ky zhvillim këtu i bën që këta ta kenë këtë sikur e kanë pjesë të hotelit”, tha Rama.

Ndërkohë kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli tha se në zonë janë trefishuar çmimet e shitjes së banesave. “Çmimi thuajse është trefishuar në vilat e tjera që deri dje nuk afrohej kush për t’i pyetur për t’i blerë. Është vërtetë një ndryshim i rëndësishëm i vlerës së çmimit”, tha ai.

Ndërkohë, Leli tha se, “ritmi i punimeve në këtë projekt fantastik që do të jetë plazhi me 5 yje i Vlorës është shumë i kënaqshëm”.

“Ka përfunduar pjesa e mbjelljes së pothuajse gjysmës së pemëve, janë rreth 80 pisha të rritura në Lungomare 2, ka përfunduar sistemi i ndriçimit. Volumi i madh i punës ka mbaruar, ka filluar veshja e pishinave dhe në harkun kohor të tre javëve mbarojmë me pishinën”, tha ai.

Për sa i përket parkimit, Leli tha se ka përfunduar gjithë procedura e lejes dhe po vazhdon investimi nga investitori privat. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.