Spaho: Gjendje e vështirë në rrugët nacionale të juglindjes si pasojë e dështimit të qeverisë

TIRANË, 14 shkurt /ATSH – I. Vata/ Nënkryetari i PD-së dhe drejtuesi politik i Qarkut Korçë, Edmond Spaho deklaroi sot se gjendja është e vështirë në rrugët nacionale të juglindjes si pasojë e dështimit të qeverisë.

Në një deklaratë nga Korça Spaho shprehet se, “në aksin nacional Korçë-Pogradec, rruga është e mbuluar  nga bora dhe akulli”.

“Gjatë 24 orëve të fundit në rrugët nacionale kanë ndodhur disa aksidente, nga të cilat fatmirësisht nuk ka pasur dëme në njerëz. Kjo gjendje, vijoi drejtuesi politik i Qarkut të Korçës është pasojë e keqqeverisjes, vjedhjeve dhe mashtrimeve nga qeveria e Edi Ramës. Rama i ka lënë në baltë qytetarët e Qarkut të Korçës dhe të gjithë Shqipërisë. Edhe pse qeveria harxhon 11.6 milion euro në vit për mirëmbajtjen e aksit Fier-Elbasan-Korçë, sot në këto rrugë shihet të punojë vetëm një borëpastruese dhe nuk është hedhur asnjë kokërr kripë”, tha Spaho.

“Në kushtet e vështirësive të pamata të ekonomisë dhe motit të keq, qytetarët shqiptarë nuk mund të presin edhe 4 vite të tjerë nën sundimin e Edi Ramës. Çdo situatë të vështirë që kalon vendi, provon gjithmonë e më tepër se Edi Rama i ka lënë qytetarët shqiptarë në baltë”, përfundoi Spaho. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.