Meta: Mbështetja për studentët e ekselencës, shërbimi më i mirë për të ardhmen tonë europiane

TIRANË, 9 shkurt /ATSH/ Presidenti i Republikës Ilir Meta zhvilloi një takim me një grup studentësh korçarë të ekselencës, të cilët e njohën me sfidat e shumta të mësimit online gjatë periudhës së pandemisë, vështirësitë në teknologji e praktika mësimore, si dhe me mungesën e meritokracisë dhe vendeve të reja të punës pas diplomimit.

“Korça i ka të gjitha potencialet për t’u dhënë mundësitë dhe shanset e barabarta të rinjve të talentuar për të mos emigruar në vendet fqinje, Greqi dhe Maqedoni të Veriut”, tha Meta, duke shtuar se, “fatkeqësisht largimi i tyre vijon në nivele alarmante për shkak se zëri i studentëve dhe i të rinjve nuk dëgjohet”.

“Duhet të bëjmë çdo përpjekje për të mbështetur rininë dhe për të ndalur shpopullimin e Shqipërisë. Të dëgjojmë zërin e tyre, t’u japim çdo shans, t’u krijojmë çdo mundësi dhe të rritim pjesëmarrjen e të rinjve në çdo nivel përfaqësimi”, tha ai.

“Është koha të bashkojmë të gjithë forcat dhe energjitë, për një qëllim të përbashkët: ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa, të rikthejmë besimin e shpresën tek të rinjtë dhe tek të gjithë qytetarët, për të ndërtuar këtu të ardhmen e sigurtë europiane”, u shpreh Meta.

“Unë besoj fort tek demokracia. Demokracia është fuqia e popullit. Forca e popullit qëndron tek vota dhe referendumi i 25 prillit është një mundësi historike për hapur një epokë të re të ndryshimit të madh për të rinjtë”, tha Meta.

Kjo, shtoi Meta, “kërkon së pari standarde europiane në edukimin dhe formimin profesional të tyre”.

“Mbështetja për studentët e ekselencës dhe më të talentuarit është detyrë e shtetit dhe shërbimi më i mirë për të ardhmen”, u shpreh ndër të tjera Presidenti Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.