COVID-19/ Meta apel qytetarëve: Mos ulni vigjilencën

TIRANË, 5 shkurt /ATSH – I. Vata/ Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se pandemia COVID-19 në vendin tonë po del jashtë kontrollit.

“Në 24 orët e fundit është regjistruar numri më i lartë i qytetarëve të infektuar, krahasuar me çdo ditë tjetër. Një tjetër shifër tronditëse është shënuar edhe sa i përket jetëve të humbura. Kapacitetet spitalore për të pritur shtrimet e reja ditore, rezultojnë të tejmbushura. Ndërkohë veç propagandës, asnjë plan nuk ka për nisjen e vaksinimit masiv të popullsisë”, shprehet Meta.

Po ashtu, Meta duke shprehur shqetësimin më madh për këta tregues të dhembshëm, i bën thirrje qeverisë të mos bëjë sehir dhe as mos t’i trajtojë qytetarët si numra për statistika ditore, duke i lënë në mëshirë të fatit.

“Çdo shqiptar meriton të trajtohet me dinjitet dhe të ketë të gjithë asistencën e domosdoshme këshillimore dhe shëndetësore nga ana e shtetit, për të përballuar pasojat e rrezikshme të pandemisë. Është e patolerueshme të numërohen çdo ditë të infektuarit dhe jetët e humbura dhe të mos merret asnjë masë për të frenuar COVID-19. Nevojitet urgjentisht, një strategji e re dhe efikase, për të frenuar pandeminë, përmirësuar kushtet në spitale, mbështetur financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre dhe rritur nivelin ndërgjegjësues të popullatës. Çdo vonesë është kosto e madhe për qytetarët, shëndetin dhe jetën e tyre dhe kjo është jo vetëm e pafalshme, por edhe e dënueshme”, tha ai.

Në fund Meta u bën apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën. “Ju bëj apel qytetarëve të mos e ulin vigjilencën dhe të vijojnë të zbatojnë me rigorozitet rregullat antiCOVID”, apeloi ai. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.