Lançohet ABA/ Shërbim me një ndalesë në mbështetje të informimit dhe financimit të fermerëve

TIRANË, 29 janar /ATSH/ Qeveria shqiptare me mbështetjen e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) ka ngritur Qendrën ABA (Agro Biznes Asistencë) shërbim me një ndalesë të vetme, që kontribuon në zhvillimin e biznesit dhe ndërtimin e kapaciteteve financiare të fermave të vogla familjare në Shqipëri.

Ministria e Financave dhe e Ekonomisë në bashkëpunim me Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) përmes kësaj mbështetje synojn të rrisë shkallën e përfshirjes financiare në sektorin agro, nëpërmjet zbatimit të Projektit të Bashkëpunimit Teknik, ‘‘Projekti i Përfshirjes Financiare për Fermat e Vogla Familjare’’.

Objektivi kryesor i projektit është të përmirësojë përfshirjen financiare të fermave të vogla familjare në Shqipëri nëpërmjet zhvillimit të produkteve dhe shërbimeve financiare dhe jofinanciare që i përgjigjen dhe përshtaten me fleksibilitet nevojave të fermerëve.

Në ceremoninë e lançimitë zyrtar të Qendrës ABA në Lushnjë morën pjesë zv.ministri i Financave dhe i Ekonomisë, Besart Kadia, ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Takada, përfaqësuesi i Zyrës së JICA për Ballkanin, Takeichi, përfaqësues të institucionit mikrofinanciar, si dhe përfaqësues të tjerë të linjës.

Ceremonia u mbajt nën masat strikte të respektimit të protokolleve të përcaktuara antiCOVID-19.

Zv.ministri Kadia gjatë fjalës së tij vuri në dukje, bashkëpunimin e hershëm mes qeverisë shqiptare dhe asaj japoneze, ndërsa theksoi se ndër vite, është ndjerë bashkëpunimi ekonomik me qeverinë japoneze nëpërmjet ndihmave dhe kredive, granteve dhe bashkëpunimit teknik, ku prioritar në fokus të mbështetjes ka qënë sektori i bujqësisë.

“Sot është kënaqësi e veçante për mua, të përfaqësoj Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për lançimin e një nga arritjeve shumë të tëndësishme të projektit, krijimin e një qendre agrobiznesi e ngritur në Lushnjë. Objektivi i Qendrës ABA është përmbushja e nevojave të çdo fermeri shqiptar me qëllim zhvillimin e tyre, zhvillimin e biznesit dhe ndërtimin e kapaciteteve dhe aftësive financiare. Jam i bindur se kjo qendër do të sjellë për fermerët shqiptarë shërbime jofinanciare që nuk i kanë patur të mundura më parë, kjo falë projektit “Përfshirja Financiare e Fermave Familjare në Zonat Rurale në Shqipëri”, por edhe përkushtimit të stafit të këtij projekti”, – tha Kadia.

Sipas tij, projekti “Asistencë Teknike nga Qeveria e Japonisë” është një projekt shumë i rëndësishëm për Shqipërinë dhe sektorin bujqësor, jo vetëm për vlerën financiare e cila është e konsiderueshme (3.5 mln euro për një kohëzgjatje 4-vjeçare), por ky projekt synon të jetë një nga instrumentët në mbështetje të objektivave të qeverisë shqiptare mbi përmirësimin e jetës së qytetarëve përmes një rritjeje ekonomike cilësore dhe gjithëpërfshirëse, si dhe për krijimin e një sektori agroushqimor efikas, novator e të qëndrueshëm, punësim, përfshirje sociale dhe cilësi më të mirë jetese për banorët.

Ambasadori i Japonisë në Shqiperi, Takada u shpreh se, “është një kënaqësi e madhe për mua të marr pjesë në këtë ceremoni për hapjen e Qendrës ABA, e cila mbështetet nga “Projekti i Përfshirjes Financiare të Familjeve të Vogla” në Shqipëri, financuar nga Qeveria e Japonisë.”

Kjo Qendër do të ndihmojë në shpërndarjen e informacionit të dobishëm, edukim mbi tema të ndryshme dhe do të sigurojë një mundësi për qasje në mjetet thelbësore për lehtësimin e aktiviteteve ekonomike të pronarëve të vegjël. Në kontekstin e situatës së pandemisë që ka prekur gjithë botën, Qendra ABA përfaqëson një mjet të dobishëm për adresimin e disa problematikave të rëndësishme të shfaqura këto kohët e fundit, të tilla si kufizimi i lëvizshmërisë dhe aksesi fizik në tregje dhe produkte, bashkëpunimi mes sipërmarrësve etj, vështrirësi të cilat demtuan ekonomitë e vogla në Shqipëri”, – tha ambasadori Takada.

Ndërsa theksoi se, “për këtë arsye, përfitimet e shërbimeve, që do të ofrohen nga kjo qendër e rëndësishme janë shumëdimensionale”.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim dhe të marrim në konsideratë më shumë projekte në fusha të ndryshme bazuar në nevojat themelore të njeriut. Jam i bindur se bashkëpunimi teknik midis Japonisë dhe Shqipërisë do të forcojë më tej miqësinë afatgjatë mes dy vendeve tona”, – deklaroi Takada.

Përfaqësuesi Rezident i JICA-s për Ballkanin, Takeichi, u shpreh se, ABA Center dhe ABA online së bashku, do të shërbejnë si një qendër e cila integron shërbime të ndryshme për fermerët, të tilla si trajnime, seminare, ngjarje të rrjetëzimit on-line, informacione mbi tregun, shërbime të gjera për bujqësinë etj.

Në këtë mënyrë, individët dhe sipërmarrësit e vegjël mund të përfitojnë një gamë të gjerë të shërbimeve të nevojshme, në një mënyrë të qëndrueshme, dhe mund të sigurojnë vazhdimësi dhe siguri të aktiviteteve të tyre ekonomike, tha ai.

Ndërsa drejtori i Biznesit në Fed Invest, Behar Gjoni theksoi se ky është një tjetër investimi ri në shërbim dhe në mbështetje të drejtpërdrejtë për fermerët dhe zhvillimin rural në Shqipëri.

“Qendra ABA do të jetë një platformë e informimit në çdo aspekt që ka nevojë bujqësia sot, mbi tregjet, çmimet, financimin dhe  shkëmbimin e  eksperiencës,dhe modeleve më të mira të zhvillimit bujqësor, duke u shndëruar në një platformë interaktive edhe rajonale në përgjigje të çdo nevoje që i paraqiten fermerëve sot për zhvillimin e ekonomisë bujqësore”.

Projekti mbështet ofrimin e shërbimeve jo-financiare nëpërmjet themelimit të Qendrës ABA. Qendra ABA është e projektuar të shërbejë si një pikë ndërlidhëse kyçe informacioni, njohurish & zhvillimi të kapaciteteve, aksesi në treg, për të përmbushur nevojat e çdo fermeri shqiptar për zhvillimin e biznesit të tyre dhe ndërtimin e kapaciteteve financiare.

Pritet që qendra gjithashtu të shërbejë si një Qendër për vendosjen e kontakteve dhe ndërtimin e rrjetit të marrëdhënieve mes aktorëve të zinxhirit të vlerës, e cila ndihmon në  përmirësimin e mundësive të biznesit për fermerët me anë të shërbimeve të personalizuara jo-financiare në çdo hap të rritjes së biznesit të tyre dhe pa asnjë kosto

Në përgjigje ndaj nevojave të fermerëve, në vitin 2020 Projekti i mbeshtetur nga JICA, zbatoi Skemën Mbështetëse të Inputeve Bujqësore, si reagim ndaj vështirësive të shkaktuara si rrjedhojë e pandemisë COVID 19, duke ofruar 40 000 Lekë mbështetje për 250 fermerë të perimeve, të cilët aplikuan për kredi në mikrokredi, me synim vijimin e investimeve në fermë.

Për të rritur mbështetjen ndaj sektorit të bujqësisë Ministria e Finanacave dhe Ekonomisë i kërkoi qeverisë së Japonisë mbështetjen e një projekti bashkëpunimi teknik nga JICA me qëllim përfshirjen financiare të fermave të vogla në Shqipëri, me fokus zhvillimin e produkteve financiare.

Projekti është katërvjeçar, me një buxhet afërsisht 4 milionë euro (504 milionë jen japonez). Projekti pritet të përmirësojë jetën e rreth 75 mijë fermerëve të vegjël nëpërmjet zhvillimit të mikrokredisë dhe përmirësimin e shërbimit të tyre. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.