BERLIN – Seehofer: Gjermania do të mbyllë kufijtë për frenimin e varianteve të reja të Covid-19

BERLIN, 28 janar /ATSH-DPA/ – Gjermania po përgatitet të mbyllë kufijtë e saj për të frenuar përhapjen e shpejtë të mutacioneve të reja të koronavirusit, me qeverinë federale që pritet të krijojë një plan deri të premten, deklaroi ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer.

”Gjermania është përqendruar sidomos për zonat ku mutacionet janë të përhapura, të tilla si Brazili, Britania, Portugalia dhe Afrika e Jugut”, deklaroi ministri para gazetarëve në fillim të një konference video me homologët e tij të BE.

“Unë nuk dua të spekuloj për këtë tani”, tha politikani konservator, duke theksuar se kishte të bënte me ndalimin dhe parandalimin e hyrjes së një virusi shumë ngjitës në vend.

”Berlini nuk do të presë për një iniciativë të përbashkët kufitare të BE”, tha ai ”sepse nuk ka asnjë tregues se ajo do të arrijë në një kornizë kohore të pranueshme për vendin e tij”.

Krerët e BE ranë dakord në parim javën e kaluar për të vendosur kufizime të mëdha të udhëtimeve.

Komisioni Europian ka propozuar rregulla më të rrepta për testimin dhe karantinën për vendet dhe rajonet me shkallë veçanërisht të lartë të infektimit.

U takon kryeqyteteve të BE-së të zgjedhin se si t’i zbatojnë ato. /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.