Zgjerimi i rrugës “Muzak Topia” në Berat/ Miratohet fondi për shpronësimin e pronarëve

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i objektit “Rikonstruksion dhe zgjerim i rrugës “Muzak Topia”, segmenti nga rrethrrotullimi tek ish-Rezervat e Shtetit deri te kisha e Shën Ilias, Berat”.

Sipas këtij vendimi, shpronësimi do të bëhet në favor të Bashkisë Berat dhe pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, për pasuritë e llojit “tokë truall” ,“ullishte” dhe “vegjetacion”, do të kompensohen me vlerë të përgjithshme prej 13 216 696 lekësh.

Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 13 216 696 lekësh do të përballohet nga buxheti i vitit 2021, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Transporti rrugor”.

Ndërsa shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 lekë do të përballohen nga fondet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas këtij vendimi, shpronësimi do të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren Zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit të jetë brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Pronarët e pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, do të kompensohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Bashkisë Berat.

Po ashtu, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, jo më vonë se 30 ditë nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Berat, duhet të fillojnë procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe të bëjnë kalimin e pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Berat.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat do të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe kalimi i pronësisë në favor të Bashkisë Berat.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.