Ulqinaku: Nuk janë identifikuar mutacione të koronavirusit, ISHP në gjendje t’i identifikojë

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Nëndrejtori i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku, theksoi sot se nuk janë identifikuar mutacione të reja të koronavirusit dhe se në rast qarkullimi të tyre, ISHP është në gjendje t’i identifikojë.

Në një reagim pas një interviste televizive, Ulqinaku u shpreh se “gjatë bisedës në lidhje me situatën epidemiologjike, pyetjes së gazetares nëse rastet e fundit janë raste të reja të Covidit dhe a kemi ne kapacitete për t’i identifikuar, iu përgjigja në lidhje me kapacitetet tona laboratorike se sa jemi ne (ISHP) të aftë të identifikojmë mutacionet e reja”.

“Në asnjë moment nuk thashë që ne kemi identifikuar mutacione të virusit, por që jemi në gjendje të identifikojmë nëse do ketë qarkullim të tyre. Pra, ISHP është në gjendje të identifikojë mutacionet e Covid-it, por që momentalisht nuk kemi identifikuar asnjë të tillë. E bëra këtë sqarim për të qenë korrekt me këdo që është i interesuar”, – tha Ulqinaku. /k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.