Shpronësimet në korridorin e gazsjellësit TAP/ Qeveria miraton dy vendime për kategoritë përfituese

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për disa ndryshime në vendimin “Për shpronësimin, marrjen në përdorim të përkohshëm dhe vendosjen e servitutit të kalimit për interes publik, mbi disa pasuri të paluajtshme, pronë private, që preken nga korridori i ndërtimit të sistemit të gazsjellësit dhe rrugëve hyrëse te valvulat e bllokimit në zonat Korçë, Devoll, Berat, Skrapar e Fier, pjesë e projektit të gazsjellësit Trans Adriatik.

Sipas këtij vendimi, pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private do të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse të paraqitur në tabelat bashkëlidhur këtij vendimi, me një vlerë totale prej 176 456 159 lekësh.

Sipërfaqet që shpronësohen janë 13 704 m², dhe 386 667 m², që merret në përdorim të përkohshëm. Po ashtu, për një sipërfaqe prej 75 130 m², vendoset servituti.

Vlera totale prej 176 456 159 lekësh dhe të gjitha shpenzimet e tjera procedurale, përfshirë edhe ato shtesë prej 50 000 lekësh do të përballohen nga shoqëria TAP AG, si subjekt kërkues.

Po ashtu, në një tjetër vendim të miratuar sot përcaktohet se pronarët, pasuritë e paluajtshme të të cilëve shpronësohen, merren në përdorim të përkohshëm dhe mbi të cilat vendoset servituti, të kompensohen në vlerë të plotë për sipërfaqen prej 51 393 m2 që shpronësohet; për sipërfaqen prej 629 032.90 m2 që merret në përdorim të përkohshëm; për sipërfaqen prej 116 355.91 m2 mbi të cilën vendoset servituti, me një vlerë totale prej 324 515 267.92 lekësh.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.