Shkodër/ Situata nga reshjet më e qetë, niveli i lumenjve ka pësuar rënie

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Situata ditën e sotme në gjithë qarkun e Shkodrës konstatohet më e qetë, pasi reshjet e shiut kanë pushuar.
Prefektura e qarkut Shkodër bën të ditur se nivelet e lumenjve kanë pësuar rënie ndonëse minimale, ndërkohë që prurjet e Liqenit janë të konsiderueshme dhe mbajnë të tendosur nivelin e lumit Buna.
Ndërsa lumi Drin ka prurje konstante meqënëse kaskada ka ruajtur të njëjtat nivele të punimit të agregateve pavarësisht prurjeve të cilat janë të konsiderueshme.
Prefektura bën të ditur se “sot kemi mbështetur me dy mjete të ushtrisë dhe dy mjete ujore njësinë administrative Ana e Malit në fshatin Obot dhe një mjet i ushtrisë dhe një mjet ujor njësinë administrative Dajç të cilët kanë ardhur nga Ministria e Mbrojtjes, në mbështetje të këtyre njësive për të plotësuar nevojat e evakuimit apo të shërbimeve për komunitetin dhe blegtorinë”.
Situata është nën kontroll dhe nën monitorimin e strukturave të Komisionit të Mbrojtjes Civile të qarkut.
Sipas treguesve hidrometrik situata është kjo; hidrometri Dajç shënon kuotën 6.58 m / (max 6.30), hidrometri Drini Bahçallëk shënon kuotën 7.20 m / (max 7.50), hidrometri  Buna Pazar shënon kuotën 8.78 m. / ( max 8.70).

Ndërkohë hidrovoret janë në punë në kapacitet të plotë dhe pa ndërprerje, ndërsa vijojmë monitorimin në koordinim me të gjithë strukturat e emergjencave civile në të gjithë qarkun.

/k.s/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.