Shehu për ATSH: Mungesë transparence në përballjen me pandeminë

TIRANË, 27 janar /ATSH – I. Vata/ Ish-deputeti i PD-së, Tritan Shehu tha për ATSH se nuk ka transparencë për sa i përket vaksinës antiCOVID të ardhur në Shqipëri.

Shehu shprehet se ka mungesë të transparencës në përpjekjet për ballafaqimin me këtë pandemi.

“Vaksinimi është zgjidhja definitive e ballafaqimit me pandeminë së paku sa të arrihet në një vaksinim rreth 80 % të popullsisë shqiptarë që të pengojë shpërndarjen e mëtejshme të sëmundjes. Pra pyetja është ku janë vaksinat, sepse vaksina nuk ka. Patëm një fishekzjarr para disa javësh për një saksi vaksinash që mund të vaksinoheshin 480 persona, që nuk janë as personeli kundër COVID, pasi personeli i shërbimit shëndetësor, mjekë, infermierë, transportues shkon mbi 20 mijë njerëz”, tha Shehu për ATSH.

Shehu shtoi se “edhe ato vaksina që erdhën, erdhën në mënyrë të dyshimtë duke krijuar një precedent të rrezikshëm për Shqipërinë të thyerjes së rregullave të sigurisë medikamentoze, vigjilencës farmaceutike, të shkeljes së ligjeve tona, shkeljes së ligjeve ndërkombëtare dhe të nëpërkëmbjes së institucioneve shqiptare që janë përgjegjëse për sigurinë medikamentoze për vendin tonë”.

Gjithashtu, Shehu tha se “Shqipëria nuk ka filluar realisht një proces vaksinimi. Megjithëse krijuan një show në stadium, por vetëm spektatorë, por jo për të vaksinuar njerëz. Ajo ishte një propagandë për të hequr vëmendjen nga dështimi i plotë edhe në çështjen e kontraktimit të vaksinave, por për të tërhequr vëmendjen edhe nga keqmenaxhimi i plotë i gjithë pandemisë gjithë këto muaj që nga shkurti i vitit të kaluar”.

Ish-deputeti i PD-së tha se “dështimi i dytë është se kanë kontraktuar 500 mijë doza me Pfizer dhe në periudhën janar-shkurt do të arrinin në Shqipëri deri në 40 mijë doza. Por sa janë 40 mijë doza, që janë vetëm për 20 mijë njerëz, pra nuk janë për personelin shëndetësor të Shqipërisë. Shqipëria ka nevojë të vaksinohet 2.4 milionë njerëz dhe për këtë gjë duhen 5.5 milionë doza vaksinash. Megjithatë kjo kontratë nuk është bërë transparente është është një element tjetër se kur parashikohen të vijnë dozat e tjera? Në fund të vjeshtës dhe fillim të dimrit 2022?”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.