Rikonstruksioni i banesave të dëmtuara nga tërmeti/ Miratohet fondi për bashkitë Rrogozhinë, Mirditë e Kamzë

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit dhe njësive  të banimit në ndërtesa (pallat), në bashkitë Rrogozhinë, Mirditë, Kamzë.

Qeveria miratoi përdorimin e fondit të rindërtimit, në masën 180 890 000 lekë, për financimin e rikonstruksionit të njësive individuale të banimit dhe njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ato individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para, por kanë nevojë për punime rikonstruksioni ose riparime.

Konkretisht, sipas këtij vendimi, bashkisë Rrogozhinë i transferohet fondi në masën 61 270 000 lekë; bashkisë Mirditë i transferohet fondi në masën 11 150 000 lekë; bashkisë Kamzë i transferohet fondi në masën 108 470 000 lekë.

Efekti financiar i këtij vendimi do të përballohet nga pjesa e financuar nga shpenzimet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2021, dhe t’u kalojë bashkive Rrogozhinë, Mirditë dhe Kamzë në formën e transfertës së pakushtëzuar.

Për zbatimin e tij ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Rrogozhinë, Mirditë dhe Kamzë. /m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.