Ratifikohet marrëveshja me Komisionin Europian/ Forcim i përfshirjes sociale

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ratifikoi marrëveshjen e financimit me Komisionin e Bashkimit Europian, në lidhje me programin vjetor kombëtar për Shqipërinë, në kuadër të instrumentit të asistencës së paraanëtarësimit (IPA II).

Relatorja e projektligjit në Komision, Senida Mesi tha se programi vjetor “BE për përfshirjen sociale” ka si qëllim të kontribuojë në forcimin e përfshirjes sociale, duke rritur mbulimin, përfshirjen dhe efektivitetin e shërbimeve të kujdesit social, dispozitat e edukimit gjithëpërfshirës dhe mundësitë e punësimit.

“Objektivi i përgjithshëm i këtij programi është që të zgjerojë mbulimin, gjithëpërfshirjen, efektivitetin dhe reagimin ndaj emergjencave të shërbimeve të kujdesit social, arsimin parauniversitar dhe mundësitë e punësimit për të rinjtë dhe të rriturit në Shqipëri, duke përfshirë popullatat në rrezik përjashtimi”, tha ajo.

Kontributi i përgjithshëm i BE-së për përfshirjen sociale shkon në rreth 70 milionë euro. Në kuadër të tërmetit të vitit 2019 dhe pandemisë, KE pati vendosur rialokimin e fondeve IPA për 2019-ën. Afati i zbatimit të këtij program është 18 muaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.