“Procesi i vaksinimit vazhdon, presim 10 mijë doza”/ Fico: Me dozën e dytë nis rritja e antitrupave deri në 95%

TIRANË, 27 janar /ATSH – I. Vata/ Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, tha sot se procesi i vaksinimit vazhdon, ndërsa pritet ardhja e 10 mijë dozave të tjera.

Fico u shpreh se vaksinat hyjnë në kategorinë e barnave për nga trajtimi administrativ që atyre iu bëhet dhe si të tilla futen në vende të ndryshme sipas një rregullatori që është përgjegjës për sigurinë e vaksinës.

“Në Shqipëri, vaksina ‘Pfizer’ ka hyrë me leje me autorizim dhe pasi është zhdoganuar ka mbërritur në Institutin e Shëndetit Publik për të cilën unë jam përgjegjëse t’ju them me përpikmëri që ka ardhur me kushte optimale”, u shpreh Fico.

“Ky proces që është sensitiv në kohë pandemie fillimin e ka te cilësia e vaksinës, siguria dhe efikasiteti i saj. Pra ne nuk dyshojmë tek ‘Pfizer’ për çfarë na është vënë ne në dispozicion dhe ndërkombëtarisht për cilësinë e produktit të tyre. Dimë që ka ardhur në kushte optimale. Nga Instituti i Shëndetit Publik është transportuar në kushte optimale sipas përshkrimit të kërkuar nga Pfizer dhe është aplikuar”, u shpreh ajo.

Por, a mund të ndodhë që një person që ka nisur procesin e vaksinimit të infektohet nga virusi? Fico tha se kjo mund të ndodhë, dhe arsyeja lidhet me atë që quhet sensitiviteti i vaksinës, se sa sensitiv është trupi në krijimin e kundërtrupave kur bën dozën e vaksinës.

“Vaksina ‘Pfizer’ është në grupin e vaksinave, të cilat përdorin ANN dhe ka dy doza me diferencë 7 ditësh. Ajo që është parë nga punimet klinike të tyre është që pas dozës së parë përtej 12-ditëshit nga bërja e vaksinës ka një mbrojtje pjesore në 52 % të rasteve. Ndërsa me aplikimin e dozës së dytë, pas një jave, fillon rritja e kundërtrupave deri në 95 %. E thënë kjo, ne jemi në një situatë kur njerëzit që janë vaksinuar me dozën e parë, ndodh të përballen me një infeksion nga Covid-19 dhe kjo është arsyeja që ne kemi ngulur këmbë që edhe gjatë procesit të vaksinimit, edhe pas, duhen zbatuar rregullat, maska dhe distanca. Kjo është e vërteta. Ky nuk është vetëm fenomen shqiptar. Është një fenomen i njohur, por që nuk cenon efikasitetin e vaksinës, që përveçse nga kushtet si prodhohet e ruhet, ka dhe një element tjetër, faktin që është me dy doza. Ndërtimi i antitrupave ndodh në një distancë 12-ditore nga doza e parë dhe pas një jave nga doza e dytë”, tha ajo.

Lidhur me rastin e Piperos, drejtoresha e ISHP deklaroi se një person është i mbrojtur nga koronavirusi, kur i ka marrë të dyja dozat e vaksinës.

“Po, kur merr të dyja dozat je i mbrojtur. Të mos harrojmë se vaksinat kanë marrë autorizim emergjent, pasi është kryer stadi i tretë i provës klinike. Të gjitha kompanitë kanë për detyrë të mbledhin të gjitha të dhënat. Vaksinimi përfshin një masë shumë të gjerë të popullatës. Organizmi i njeriut është si gishtat e dorës, nuk e dimë sa i fuqishëm është efekti i vaksinës te secili. Por, ajo që dimë është pas dozës së parë nga dita e 12 fillon një mbrojtje paraprake, ndërsa pas dozës së dytë, një javë më pas, nis mbrojtja”, deklaroi ajo.

Në lidhje se kur mund të sigurohen vaksinat, Fico tha se jemi në një moment që ka një shqetësim për çështjen e sasisë së vaksinës. “E para, janari nuk ka mbaruar. E dyta, çdo njeri që është vaksinuar do të ketë dozën e dytë dhe deri në 10-ditëshin e parë  të shkurtit ne vazhdojmë me procesin e vaksinimit duke plotësuar detyrimin ndaj personave”, tha Fico.

“Po luftohet në të gjitha drejtimet, që sido dhe çfarëdo të ndodhë, të përfitojmë edhe nga marrëveshjet mes shteteve. Ne kemi bërë marrëveshje, kemi bërë pagesa. Vaksinën e ruajmë në kushte optimale, planin e vaksinimit po e kryejmë. Presim të na vijnë dhe mbi 10 mijë doza. Ndërkohë jemi në kontakte për të mbështetur qeverinë shqiptare me të gjitha informacionet për të negociuar për të sjellë medoemos vaksinën në Shqipëri”, theksoi Fico.

Në lidhje me datën e ardhjes së vaksinave, Fico tha se se sot vijojmë të mbetemi në dy pika kryesore, në pritjen e vaksinës në zbatim të kontratës, dhe pavarësisht prej tyre, ajo që po bëhet dhe po bëhet kaq intensitivisht është që ne t’i garantojmë këto vaksina.

“Pandemia nuk ka qenë besnike e përgatitjes njerëzore në shumë elemente. Këtë e them se kemi pasur pafund raste kur universitete të shquara kanë bërë projeksione për fundin e pandemisë dhe të gjitha kanë rënë. Pra, kjo pandemi na ka testuar të gjithëve në një nivel që nuk është parë më parë. Asgjë që i takon palës sonë nuk i është lënë në asnjë minutë rastësisë. Nuk kemi shkuar në shtëpi para orës 12 të natës. Realisht si mjeke bëj maksimumin, së bashku me një ekip shumë të dedikuar, për të përmbushur çdo lloj gjëje që na kërkohet me shpejtësi ere”, tha Fico.

“Nuk ka një datë për SHBA, Gjermaninë, Italinë dhe as për Shqipërinë tonë të vogël, sepse kjo pandemi na ka vënë përpara syve situata që askush me përgjegjësi nuk ka mundur të thotë diçka. Kërkesa është shumë e madhe, kapacitetet janë ato që janë dhe kjo është arsyeja që ‘Pfizer’ po punon ta rrisë këtë kapacitet, ndërkohë që janë në lojë edhe vaksinat e tjera. Madje, sot që po flasim një grup pune po vazhdon komunikimin me vaksinat e tjera. E kemi thënë që ‘Pfizer’ është opsioni i parë, por jo i vetmi”, tha Fico. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.