Prezantohet trajneri i ri i Tiranës, Orges Shehi: Krenar dhe i kënaqur që jam pjesë e klubit bardheblu

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Orges Shehi, është prezantuar sot si trajneri i ri i “Tiranës” në ambientit e “Selman Stërmasit” nga presidenti i klubit bardheblu Refik Halili.

Presidenti Halili u shpreh i bindur se me durrsakun bardheblutë do të kenë ecuri pozitive.

“Mendoj se kam zgjedhur të duhurin, pas shumë bisedave të bëra. E njoh, është një kampion, me pak fjalë. Besoj se do të bëjë mirë edhe te ne si trajner”, tha Halili.

“Sa i takon kontratës, është e pafundme, nëse ka rezultate të mira. Nëse gjërat shkojnë mbarë, ai qëndron, nëse jo, vjen trajner tjetër. Nuk mund të ndryshojmë trajner se humb një, dy apo pesë. Shpresoj ta vazhdojmë një rrugë të gjatë me Shehin”, u shpreh Halili.

“Besoj te skuadra, kemi 7 lojtarë kombëtaresh. Gjërat do t’i marrim një e nga një. Kemi punë shumë, me licencimin dhe infrastrukturën. Nuk kemi shumë fjalë të bukura për të thënë. Të do flasim në fushë dhe do ecim përpara. Kjo besoj se është e treta e vërteta, siç ndodhi vjet”, shtoi presidenti i Tiranës

Ndërsa Shehi u shpreh krenar dhe i kënaqur që u bë pjesë e klubit më të titulluar në vend.

“Ambiciet janë të mëdha. Kemi rrugë të gjatë përpara, skuadra do tentojë të ngjitet sa më lart. Synimi është maja, por shkallët do t’i marrim dalëngadalë. Objektivat e klubit dihen, gjithmonë në majë. Nuk jam tip që u shmangem përgjegjësive. Ofertën e ‘Tiranës’ e prita me shumë qejf, sepse është klub i madh dhe ka një organikë të mirë lojtarësh. E prita me kënaqësi dhe këto ishin arsyet pse vendosa ‘Tiranën’”, tha ai.

“Presioni është normal, sepse jemi në një skuadër me pritshmëri. Në qoftë se klubi mund të ketë politika për një lojtar të caktuar për të bërë një kalim në një kampionat më të fortë, ne sigurisht do ta ndihmojmë, duke e aktivizuar me shumë. Më është thënë nga presidenti se nuk më intereson kush është në fushë, por dua rezultatet. Risku është prezent dhe po të jetojmë me frikën e riskut, s’do punonim fare”, u shpreh Shehi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.