“Politikat e mbështetjes rritën punësimin”/ Ekonomi: Bujqësia zë 37% të të punësuarve në shkallë vendi

TIRANË, 27 janar /ATSH/- Bujqësia po vijon të rrisë në mënyrë të qendrueshme kontributin e saj në PBB dhe ka rritur forcën e angazhuar në punë në sektorin rural në nivelin 37% të totalit të të punësuarve në shkallë vendi.

Kështu u shpreh ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi gjatë një interviste televizive, ku ndër të tjera theksoi se “kontributi i bujqësisë në Prodhimin e Brendshëm Bruto shkon nga 18- 20% dhe angazhon një forcë pune të konsiderueshme në shkallë vendi. Ndërsa buxheti i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për vitin 2021 është rritur me 20%, krahasuar me një vit më parë dhe ku vëmendjen më të madhe e marrin skemat e mbështetjes për fermerin që nxisin prodhimin, punësimin dhe më shumë të ardhura”.

Ekonomi u shpreh se, politikat e zhvillimit, programet e financimit të drejtëpërdrejtë të fermerëve dhe mbështetja me skemën naftë falas për bujqësinë kanë nxitur angazhimin e fermerëve në aktivitete të ndryshme rurale, nga prodhimi bujqësor, blegtoral, agrobiznesi e deri deri tek agroturizmi.

Sipas saj, fakt është që tashmë ekonomitë rurale krahas modelit të vetëpunësimit familjar po orientohen në zgjerimin e punësimit në mbi 10 persona, në varësi edhe të zhvillimit të aktivitetit të tyre, duke kontribuar në rritjen e angazhimit me punë në këtë sektor. e.xh/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.