Pësuan dëme nga tërmeti/ 21.5 milionë lekë për godinat e Shërbimit Informativ të Shtetit në Durrës dhe Lezhë

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit dhe rikonstruksionit/riforcimit të objekteve në administrim të shërbimit Informativ të Shtetit në bashkitë Durrës dhe Lezhë dhe caktimin e Shërbimit Informativ të Shtetit si njësi zbatuese.

Qeveria vendosi përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit dhe rikonstruksionit/riforcimit të objekteve në administrim të Shërbimit Informativ të Shtetit, të ndodhura në bashkitë Durrës dhe Lezhë, në masën 21 586 378 lekë pa TVSH.

Konkretisht sipas këtij vendimi parashikohet rindërtimi i objektit në administrim të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), të ndodhur në Bashkinë Durrës, në masën 17 402 445 lekë pa TVSH.

Po ashtu për rikonstruksionin/riforcimin e objektit në administrim të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH), të ndodhur në Bashkinë Lezhë, parashikohet fondi në masën 4 183 933 lekë pa TVSH.

Po ashtu, Shërbimit Informativ të Shtetit, në buxhetin e miratuar për vitin 2021, i shtohet fondi në masën 7 220 733 lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit dhe rikonstruksionit/riforcimit të objekteve si më poshtë: 5 220 733 lekë pa TVSH, për financimin e rindërtimit të objektit në administrim, të ndodhur në Bashkinë Durrës;
2 000 000 lekë pa TVSH, për financimin e rikonstruksionit/riforcimit të objektit, të ndodhur në Bashkinë Lezhë.

Shërbimi Informativ i Shtetit caktohet si njësi zbatuese për rindërtimin dhe rikonstruksionin/riforcimin e objekteve.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.