Përurimi i shkollës “Stiliano Bandilli” në Berat/ Denaj: 105 milionë lekë nga buxheti i shtetit

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj mori pjesë në inaugurimin e shkollës profesionale “Stiliano Bandilli”, Berat.
E shoqëruar edhe nga kryetari i bashkisë Berat, Ervin Demo, ministrja uroi suksese për të gjithë nxënësit e shkollës profesionale.
“Ju uroj suksese të gjithëve. Keni rrugë përpara, por duhet ta keni të qartë që, më pas punën do ta keni të siguruar”, u shpreh Denaj.
Ministrja Denaj theksoi se “mbështetja për arsimin dhe formimin profesional është prioritet i qeverisë, duke siguruar financim si nga buxheti i shtetit, ashtu edhe nëpërmjet donatorëve të shumtë që janë aktivë në këtë fushë”.
Godina e shkollës dhe repartet e praktikave profesionale janë rikonstruktuar nga buxheti i shtetit me vlerë 105 milionë lekë.
Në shkollën profesionale “Stiliano Bandilli” për vitin mësimor 2020-2021 studiojnë 310 nxënës në drejtimet mësimore: Shërbime mjetesh transporti, elektronikë, mekanikë dhe termohidraulikë.
Gjithashtu, kjo shkollë ka rreth 36 marrëveshje me bizneset, të cilët iu mundësojnë nxënësve praktikat profesionale në kompani.

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.