Kryemadhi në Divjakë: 5 prioritetet tona të nevojshme për t’u vënë në zbatim

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi zhvilloi sot një takim me gratë në Divjakë.

“Gruaja është themeli i një familjeje dhe po ishte gruaja e fortë, po të ishte në një komoditet për të jetuar, sigurisht edhe respekti mes burrit dhe gruas do të jetë i barabartë, por nga ana tjetër edhe fëmijët do të jenë më të ndjeshëm, më të mbarë dhe do të kenë mundësinë e një edukimi dhe shkollimi më të mirë”, tha Kryemadhi.

Ndërkohë, shtoi ajo, “kemi edhe 5 pikat, 5 prioritetet që ne si LSI i kemi prezantuar tashmë, dhe që janë të nevojshme për t’u vënë në zbatim menjëherë”.

“Këtu në Bashkinë e Divjakës faktikisht është një bashki që ka mundësi punësimi dhe zhvillimi të sektorit të turizmit jashtëzakonisht të mëdha, pavarësisht se çfarë ofron bujqësia në këtë zonë, që është një tjetër prioritet për ne, të cilin ne e prekim me kartën e fermerit, me TVSH-në për prodhimet, jo për sa i përket TVSH-së direkte, por për sa i përket konsumimit që shqiptarët të hanë mirë dhe lirë”, tha Kryemadhi.

“Duke formalizuar ekonominë shqiptare, ne kemi impakt të drejtpërdrejtë, të menjëhershëm në buxhetin e shtetit dhe kjo shkon në investime të drejtpërdrejta në infrastrukturë, në arsim, në shëndetësi e kudo”, u shpreh kryetarja e LSI.

Kryemadhi theksoi se, në Divjakë duhet që të vendosen prioritetet, të zhvillohet turizmi dhe bujqësia.

“Ajo që mendoj unë është, se një bashki si Divjaka është e jashtëzakonshme për zhvillimin e familjeve të Divjakës. Ajo që mendojmë ne dhe që është e domosdoshme, duke krijuar hapësirat e zhvillimit qoftë në bujqësi, turizëm infrastrukturë, i jep një komoditet shumë të mirë njerëzve. Sidomos familjeve të reja, për të qëndruar, sepse 1 orë larg aeroportit dhe 40 minuta larg portit je”, tha ajo.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.