ITALI – Qeveria rishikon planin e vaksinimit pas vonesave nga Pfizer dhe AstraZeneca

MILANO, 27 janar /ATSH/ – Qeveria po punon për të korrigjuar planin e paraqitur nga Ministria e Shëndetësisë, pasi deri në fund të marsit do të vijnë 15 milionë doza më pak, kundrejt 28 milionë të parashikimeve fillestare, shkruan gazeta italiane ”Il Sole 24 Ore”.

Në tre muajt e parë të vitit 2021, vetëm shtatë milionë italianë do të vaksinohen.

Pas vonesave të Pfizer dhe AstraZeneca, qeveria është e detyruar të rishikojë planin e vaksinimit dhe të rivendosë objektiva të tjera.

Vonesat në vaksinimin do të jenë për 13 milionë e 400 mijë italianë midis moshës 60 dhe 79 vjeç, shtatë milionë e 400 mijë me të paktën një sëmundje kronike, përveç stafit të shërbimeve thelbësore, mësuesve dhe stafit të shkollës, forcave të policisë, personelit të burgut dhe të burgosurve.

Sipas zëvendësministrit të Shëndetësisë, Pierpaolo Sileri zvogëlimi i dozave, komunikuar nga Pfizer dhe AstraZeneca, do të shtyjë kohën e pritshme të vaksinimit për mbi 80- vjeçarët me rreth katër javë dhe me rreth 6-8 javë për pjesën tjetër të popullsisë./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.