ITALI – Fillojnë bisedimet për formimin e një qeverie të re

ROMË, 27 janar /ATSH-AFP/ – Presidenti italian, Sergio Mattarella filloi sot me drejtuesit kryesorë politikë të vendit bisedimet për formimin e një qeverie të re, pas dorëheqjes një ditë më parë të Giuseppe Conte.

Këto bisedime do të përfundojnë të premten dhe do të fillojnë si zakonisht nga një takim i Mattarrellas me presidentët e dy dhomave parlamentare.

Përfaqësuesit e partive kryesore do të priten nesër dhe të premten.

Në këtë kuadër, aleanca e partive të ekstremit të djathtë dhe të djathtës – Forza Italia (FI) e Silvio Berlusconit, Liga e Matteo Salvinit dhe Fratelli d’Italia (FDI) e Giorgia Melonit  do të dërgojnë një delegacion unitar tek presidenti.

Giuseppe Conte i dorëzoi dje dorëheqjen presidentit të Republikës Mattarella pasi konstatoi pamundësinë për të gjetur një shumicë të re parlamentare pas largimit të partisë Italia Viva (IV) të ish kryeministrit Matteo Renzi.

Kryeministri në ikje anuloi ndërhyrjen e parashikuar sot në Forumin Ekonomik të Davosit.

Conte shpreson të marrë një mandat të ri nga presidenti, Sergio Mattarella në përpjekje për të formuar një qeveri, e treta që prej vitit 2018 dhe për të zbatuar planin prej 200 miliardë eurosh, që synon të rimëkëmbë ekonominë e tretë të zonës euro, e goditur nga pandemia që ka shkaktuar më shumë se 85 000 të vdekur në vend./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.