Fiskalizimi/ Biznesi në zonë pa mbulim interneti, njoftim 24 orë para lëshimit të faturave

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve infomon të gjithë bizneset që operojnë në zona pa mbulim interneti se duhet të njoftojnë 24 orë para nisjes së lëshimit të faturave zyrën rajonale të tatimeve.

Lidhur me procedurat që duhet të ndjekë biznesi, Tatimet theksojnë se, tatimpaguesi që operon në një zonë pa mbulim interneti duhet të njoftojë administratën tatimore për pamundësinë e krijimit të një lidhje elektronike (internet) për shkëmbimin e të dhënave me sistemin e informacionit të administratës tatimore në vendet e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit të vendosura në zonë pa lidhje të përhershme në internet.

Para njoftimit, tatimpaguesi që lëshon fatura duhet të kontrollojë disponueshmërinë e shërbimit të hyrjes në internet për vendet e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit në të cilin ai kryen veprimtarinë, ose një pjesë të veprimtarisë.

Sipas Tatimeve, njoftimi do të bëhet përmes platformës qendrore të faturave, ose nëse tatimpaguesi që lëshon fatura nuk mund të hyjë në atë platformë, përmes formularit “Informacione për vendin e ushtrimit të veprimtarisë së biznesit”, që do të dorëzohet në zyrën vendore përgjegjëse të administratës tatimore, sipas vendit për ushtrimin e veprimtarisë së biznesit ose vendbanimit të tij, të paktën 24 orë para fillimit të lëshimit të faturave në atë vend të ushtrimit të veprimtarisë së biznesit.

Administrata tatimore nga ana e saj do të bëjë verifikimin e saktësisë së pretendimeve bazuar në të dhënat zyrtare të përcjella nga AKEP. Nëse konfirmohen pretendimet e tatimpaguesit se në zonën ku ai operon nuk ka mbulim interneti, administrata tatimore lëshon një konfirmim në formë elektronike, i cili do të ruhet në platformën qendrore të faturave në llogarinë personale të tatimpaguesit dhe me kërkesën e tij/saj të dërguar në postën elektronike të tij/saj, të deklaruar në formularin e aplikimit, me një periudhë vlefshmërie prej një viti. Pas një viti, tatimpaguesi duhet të përsërisë procedurën e njoftimit.

Në këto raste, procedura e fiskalizimit të faturave bëhet sipas parashikimeve të nenit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkulllimit” i ndryshuar dhe Udhëzimit “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”.

e.xh./j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.