Delegacioni i OSBE/ODIHR takim me drejtues të KQZ-së

TIRANË, 27 janar /ATSH – I. Vata/ Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi dhe nënkomisionerja, Lealba Pelinku zhvilluan një takim me delegacionin e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE/ODIHR.

Në takim u diskutua mbi përgatitjen e procesit zgjedhor si përdorimi i teknologjisë, vota e shqiptarëve me banim jashtë vendit, financimi i partive politike, keqpërdorimin e burimeve shtetërore për qëllime elektorale etj.

Celibashi foli edhe për sfidat me të cilat përballet KQZ-ja lidhur me ngritjen me vonesë të strukturës së re të institucionit dhe presionin mbi punën e institucionit që shkakton koha e kufizuar deri në zgjedhje.

Ndërsa Lealba Pelinku e vuri theksin tek përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, identifikimin elektronik dhe masat që janë marrë në këtë drejtim, si një risi dhe sfidë e institucionit në këto zgjedhje.

Delegacioni i OSBE-ODIHR-it u takua edhe me anëtarët e Komisionit Rregullator dhe Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve.

Delegacioni i OSBE/ODIHR bëri me dije se misioni i tyre ishte mbledhja e nevojave dhe jo monitorimi. Pas dy javësh ky delegacion, bazuar në informacionin e mbledhur, do të dalë me një raport publik mbi nevojat për procesin. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.