Bino: Vaksina ka siguri maksimale dhe ruhet në kushte sipas të gjitha protokolleve

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Shefja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino u shpreh sot se, në rastin e infektimit të dr. Pëllumb Piperos, pas marrjes së vaksinës antiCovid nuk kemi të bëjmë me efekte anësore të vaksinës, por kemi të bëjmë me një infektim.

Gjatë një interviste televizive, Bino theksoi se, “efektet anësore të vaksinës lidhen natyrisht me temperaturë, dobësi që vaksina mund të shkaktojë dhe këto ne i kemi evidentuar dhe janë efekte të lehta, anësore të cilat janë hetuar për çdo vaksinë dhe natyrisht kryhet hetimi”. Por, deri tani, sipas saj, “nuk kemi pasur raste të efekteve anësore të rëndësishme sistemike, por kemi pasur efekte anësore tepër të lehta”.

Në çdo rast vaksinimi ne i kemi vërejtur raste të tilla, u shpreh Bino, ndërsa shpjegoi se vetë kompania “Pfizer” kërkon që dozën e dytë të vaksinës ta japi pas 3 javësh kur edhe presupozohet që janë krijuar antitrupa, tek ata që kanë marrë vaksinën e parë.

Bino thesoi se Shqipëria i ka kaluar me sukses të gjitha testet dhe provat me “Pfizerin” për sigurinë e të gjitha protokolleve që duhet të kalojë vaksina që nga transporti, ruajtja dhe përdorimi.

”Kushtet e ruajtjes së vaksinimit janë të rëndësishme për efektivitetin, por jo për efektet anësore”, tha ajo, ndërsa konfirmoi se vaksina ka siguri maksimale dhe ruhet në kushte sipas të gjitha protokolleve. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.