Balluku-Zingraf firmosin 3 marrëveshje bashkëpunimi/ Rreth 125 milionë euro investime për zhvillimin e qëndrueshëm

TIRANE, 27 janar /ATSH/ Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë, Peter Zingraf nënshkruan së bashku tre marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi mes Qeverisë shqiptare dhe asaj gjermane. Nënshkrimi i këtyre marrëveshje, në tre sektorë kyç, është finalizim i një pune të gjatë mes grupeve të përbashkëta të punës.

Marrëveshja e parë përfshin rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës, si hidrocentrali më i madh në vend, duke përmirësuar prodhimin në këtë HEC. Marrëveshja e dytë lidhet me Programin e Investimeve për zhvillimin e integruar rajonal, e cila parashikon ndërhyrje infrastrukturore të integruara, në funksion të nxitjes së zhvillimit ekonomik të zonave me potencial turistik. Ky program do të zgjasë rreth 4 vite dhe pritet që të mbulojë një portofol total investimesh prej 50 milionë eurosh, ndërsa do të zhvillohet në bashkinë e Pogradecit dhe atë të Pustecit në qarkun e Korçës si dhe bashkinë e Himarës në qarkun e Vlorës duke pasur në fokus shtimin dhe zhvillimin e kapaciteteve turistike në këto bashki.
Marrëveshja e tretë i referohet programit për menaxhimin e qëndrueshëm dhe miqësor me klimën në sektorin e mbetjeve dhe ka qëllim parësor menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve të ngurta, përmes investimeve në infrastrukturën përkatëse, si dhe mbështetjen institucionale për ofrimin e një shërbimi të përmirësuar në zonat e ndryshme të mbetjeve.
Ky program kontribuon gjithashtu në zbatimin e planit të investimeve të parashikuara në Masterplanin e Mbetjeve të Ngurta dhe do të ndikojë në harmonizimin e standardeve tona me ato të Bashkimit Europian, si dhe në përmirësimin e kushteve mjedisore dhe sigurisht të jetesës së qytetarëve. Projektet e planifikuara përfshijnë gjithashtu ndërtimin e landfillit rajonal në Berat, si dhe ndërtimin e stacioneve të transferimit të mbetjeve sipas parashikimeve të masterplanit.
Ministrja Belinda Balluku duke vlerësuar bashkëpunimin dhe mbështetjen që qeveria gjermane ka dhënë në vijimësi për vendon tonë, bëri të ditur detaje sa i takon tre marrëveshjeve të nënshkruara ditën e sotme.
“Financimi i këtyre projekteve do të mbështetet në huatë me kushte të favorshme nga KfW, që është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm e të besueshëm në zhvillimin e Infrastrukturës rajonale. Financimit të komponentëve bazë u shtohen dhe grantet përkatëse për zbatimin dhe mbikëqyrjen e projekteve, ndërkohw që marrëveshja për menaxhimin e mbetjeve shoqërohet dhe me një grant investimi me vlerë 5.9 milionë euro”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë falënderoi ambasadorin gjerman për angazhimin për nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve kaq të rëndësishme për të nisur menjëherë zbatimi i tyre.
“Në emër të qeverisë shqiptare shpreh konsideratën e lartë për Qeverinë Federale Gjermane si një nga partnerët strategjikë dhe gjithmonë i ndodhur pranë vendit tonë në këto dekada të rëndësishme për rimëkëmbjen e Shqipërisë. Falë bashkëpunimit tonë të shkëlqyer deri më tani kemi mundur të realizojmë një sërë projektesh me shtrirje ndërsektoriale dhe jam besimplotë që ky partneritet do të vijojë të japë frytet e tij duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e vendit dhe në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë”, theksoi Balluku.
Edhe ambasada gjermane në Tiranë duke njoftuar nënshkrimin e marrëveshjeve theksoi se “Qeveria gjermane dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) mbështesin investime në shumën e 124.9 milionë euro për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë”.
“Kjo mbështetje, e cila vjen kryesisht në formën e kredive të buta, ka për qëllim zhvillimin e administrimit të mbetjeve sipas standardeve të BE-së, rehabilitimin e hidrocentralit të Fierzës dhe mbështetjen e zhvillimit rajonal në zonën e bregdetit të jugut dhe zonës Korçë-Pogradec. Tema të rëndësishme këto për zhvillimin e qëndrueshëm dhe miqësor të vendit ndaj mjedisit”, thuhet në njoftimin e Ambasadës gjermane. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.