ANKARA, 26 janar /ATSH-AA/ – Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan theksoi se teksa edhe vendet më të zhvilluara përballen me mungesa, Turqia po merr me shpejtësi vaksinat kundër koronavirusit të ri (COVID-19) dhe po përparon me fushatën e vaksinimit publik.
Presidenti Erdoğan theksoi se Turqia ka arritur të tejkalojë me probleme minimale një periudhë në të cilën edhe vendet më të përparuara u përballën me skena tronditëse.
Duke folur në një ceremoni në Ankara ku të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara u punësuan në sektorin publik, Erdoğan theksoi se Turqia ka mbushur deri në 82% kuotën e saj të punësimit të personave me aftësi të kufizuar në sektorin publik.
“Nga vetëm 5 777 nëpunës civilë me aftësi të kufizuara në vitin 2002, kur Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) erdhi në pushtet, ne rritëm numrin e nëpunësve civilë me aftësi të kufizuara në 58 319”, theksoi ai.
Ndryshe, dje në Turqi arritën 6,5 milionë doza të vaksinës kineze Sinovac në dërgesën e dytë prej gjithsej 10 milionë dozave.
Fushata e vaksinimeve masive filloi në Turqi më 14 janar, pasi dërgesa e parë mbërriti më 30 dhjetor të vitit të kaluar.
Për të rritur besimin e popullit ndaj vaksinimit, ministri i Shëndetësisë së Turqisë, Fahrettin Koca, si dhe presidenti Erdoğan ishin ndër të parët që u vaksinuan.
Për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, qeveria turke vitin e kaluar filloi me zbatimin e orës policore gjatë mbrëmjeve në ditët e punës brenda javës, si dhe orë policore gjatë gjithë fundjavës./ /ec/