Situata e përmbytjeve në një fazë më pak kritike, përmbytja e tokave minimale

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se situata e përmbytjeve është në një fazë më pak kritike dhe situata e përmbytjeve të tokave është minimale për momentin, krahasuar me të shkuarën.

Në një konferencë për mediet, i pyetur në lidhje me bilancin paraprak të sipërfaqeve të përmbytura të tokës bujqësore dhe të dëmeve, Rama u shpreh se, “kemi bërë bilancin për fazën më kritike. Tani jemi në një fazë më pak kritike”.

Sigurisht, theksoi Rama, “po e ndjekim me shumë vëmendje, por është krejtësisht në nivele po themi të arsyeshme, duke pasur parasysh intensitetin e madh të reshjeve”.

Rama u shpreh se, “problemi kryesor janë rrëshqitjet e dheut pas shumë ditësh reshje në disa akse, për të cilat po punojmë ditë-natë”.

Ndërsa sa i përket përmbytjeve të tokave, Rama nënvizoi se, “ato janë minimale për momentin. Gjithmonë kuptohet në raport me çfarë kemi parë në të shkuarën, ose edhe në raport me vetë intensitetin e reshjeve për shkak se është punuar shumë për këtë ditë me hapjen e kanaleve kulluese”.

Megjithatë, theksoi Rama, “jemi në ndjekje të  përditshme të situatës dhe patjetër që në fund të kësaj faze, shpresojmë të fundit reshjesh, do bëjmë edhe bilancin publik po themi, se bilancin e kemi”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.