Rregullat kundër pastrimit të parave në Shqipëri më të shtrënguara se në shumë vende të tjera

TIRANË, 26 janar/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në një konferencë për shtyp se, “në Shqipëri rregullat e vendosura kundër pastrimit të parave janë jashtëzakonisht të shtrënguara në raport me shumë vende të tjera”.

“A ka pastrim parash? Ku nuk ka? Dini ju ndonjë vend që nuk ka? Të gjitha vendet luftojnë me paratë e pista, kanë institucione kundër pastrimit të parave dhe në Shqipëri rregullat e vendosura janë jashtëzakonisht të shtrënguara në raport me shumë vende të tjera”, tha Rama gjatë një konference për shtyp.

Kryeministri theksoi se “në Shqipëri, dhe ky është një problem që unë e kam dhe e diskutoj vazhdimisht me institucionet përkatëse, se nëse blen një shtëpi një emigrant, apo nëse çon 15 mijë euro në shtëpi, i bllokohen paratë me muaj për t’u verifikuar ku i gjeti, gjë që ka krijuar probleme për emigrantët për të çuar para në Shqipëri”.

“Nga i nxirrni ju konkluzionet se ndërtohet pa banka? Bëni një hetim dhe do të jetë shumë i mirëseardhur se do të na ndihmojë edhe ne. Drejtoria e Pastrimit të Parave dhe struktura e Pastrimit të Parave në Shqipëri shkon dhe verifikon klientët që blejnë shtëpi. Janë verifikime ekstreme me të cilat unë nuk jam dakord në parim, por ky është ligji, rruga që kemi zgjedhur. As nuk i ndërhyj dhe as nuk i ndryshoj këto rregulla. Çdo klient që blen apartament në Shqipëri, qoftë shqiptar, emigrant, shqiptar Shqipërie, Kosove, Maqedonie, apo i huaj kalon në filtrin e verifikimit të pastrimit të parave dhe të gjitha kompanitë e ndërtimit janë të detyruar të japin shpjegime, dhe kanë vazhdimisht ankesa për këtë punë sepse kjo tremb klientelën”, tha Rama.

“A ka? Patjetër, nuk e përjashtoj fare unë, si mund ta përjashtoj këtë gjë? Por ku, si, sa, kjo është sfida e institucioneve dhe lufta e tyre, të cilës ju ftoj t’i bashkoheni me investigime. Merrni shembull nga “Stopi” dhe “Fiksi”, ata që e luftojnë mafien shtrirë nëpër në kolltuqe si derrat e kënaqur të Migjenit dhe mbajnë shqiptarët me orë me dokrra dhe bëjnë ekspertë e luftërave kundër krimit, luftërave kundër korrupsionit dhe janë më të korruptuar dhe më të inkriminuar se të gjithë ne së bashku po e po pa diskutim, se as ju e as unë nuk hyjmë në këtë kategori, por edhe më keq se ata që i përkasin botës së krimit. Shtrirë në kolltuqe, merr ca llafe rrugësh e ngri e ul njerëz bam e bum. Si mund të funksionoj kështu marrëdhënia me të vërtetën dhe publikun? Prokuroria italiane ka nxjerrë konkluzione. Nuk jeni të kënaqur? Investigoni si ajo që bën “Stop-i”, se nuk merret me mafien globale se kush merret me mafien globale dhe bën sikur kap këto majat e luftës me mafian, në fakt i shërben mafies pa dashje, por me vetëdije e përdor mafien, krimin, kriminelët për luftë politike apo përfitime të interesave të ndryshme duke përdorur influencën mediatike”, tha Rama.

Ai solli shembullin e denoncimit në medie të rastit të korrupsionit të kryer nga një sanitare në spitalin COVID 2.

“Një sanitare, niveli më i ulët i administratës që e kanë gozhduar me prova është sot në burg. Ai është shërbim ndaj vendit, në luftën ndaj korrupsionit, në nxjerrjen në pah të dobësive të çfarëdolloj natyre brenda institucioneve të shtetit. Ne jemi në një barrikadë. Unë jam shumë i keqardhur kur shoh viktimat e këtyre abuzimeve si rasti i asaj vajzës të kthyer në viktimë të abuzimit, por jam shumë i lumtur kur shoh se falë kontributit të një medie gozhdohet një pleh dhe largohet nga trupi i shtetit një çiban”, tha Rama.

Rama ftoi mediet që të investigojnë dhe të provojnë dhe “unë i pari do t’ju falënderoj dhe vlerësoj maksimalisht dhe do të jem mirënjohës sepse kjo është ndihma më e madhe që mund të më jepet mua, njerëzve “dhe të influencojë në përmirësimin e punës së shtetit, institucioneve, rritjen e vetëdijes e me radhë”.

“Mblidhen dhe flasim për ca llumra që flasin italisht me njëri-tjetrin që nuk rezulton të kenë asnjë impakt dhe investim në vendin tonë dhe tregojnë me gisht PS-në. PS-së i merrni të keqen ju, që të jemi të qartë”, tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.