Rishpallet vakanca për Kryetarin dhe një anëtar të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik në mbledhjen e sotme rishpalli vakancën për kryetarin dhe 1 anëtar të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar.

Momentalisht rezulton se për 7 anëtarë dhe për Kryetarin e këtij Këshilli ka përfunduar mandati dhe procedurat për përzgjedhjen e tyre akoma nuk janë përfunduar nga Kuvendi.

Në nisje të mbledhjes, kryetari i Komisionit, Ramazan Gjuzi, parashtroi se Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit përgjegjës, ka shpallur vakancat për secilin nga anëtarët e Këshillit, të cilëve u ka mbaruar mandati, konform parashikimeve të bëra në ligj, 30 ditë përpara krijimit të vendit vakant.

Më tej ai sqaroi se për 3 vende vakante, ka përfunduar procesi i përzgjedhjes së kandidaturave dhe vendimi i komisionit i është përcjëllë për shqyrtim seancës plenare.

“Për vakancën e Saimir Kumbaro, i cili ka pasur një mandat 5-vjeçar, Komisioni shpalli vakancën në maj të vitit 2019 me vendimin nr. 10 të tij dhe në përfundim të afatit të dorëzimit të dokumentacionit numri i kandidatëve të paraqitur nuk e plotësonte numrin minimal të kandidatëve për një vend vakant. Në vijim, Komisioni në mbledhjen e datës 9 shtator 2019 vendosi rishpalljen e vendit vakant, por përsëri dhe kjo procedurë u mbyll pa plotësuar numrin minimal të kandidatëve që kërkon ligji”, tha Gjuzi.

“Për vakancat e Kristaq Traja, Robert Rakipllari, Vladimir Grosha dhe Altin Shegani, të cilët kanë pasur mandat 5-vjeçar, Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik ka shpallur në datë 5 qershor 2020 vakancat e Kryetarit dhe tre anëtarëve të tjerë të këtij Këshilli. Në përfundim të afatit të dorëzimit rezultuan 12 kandidatura, të propozuara nga subjektet që ngarkon ligji dhe konkretisht: Ardita Reçi, Genc Tomço, Laureta Roshi, Mevlan Shanaj, Engjëll Ndocaj, Krenar Hajdëri, Arjan Syknei, Lumtor Shkreli, Elvin Nuriu, Rafaela Rica, Suela Mino dhe Petrit Ruka. Kandidaturat e propozuara nga subjektet që ngarkon ligji kanë shprehur interes për të kandiduar për vendet vakante të tre anëtarëve, ndërsa për vendin vakant të Kryetarit të KDRTSH-së nuk është paraqitur asnjë kandidaturë”, u shpreh Gjuzi.

Në përfundim Komisioni vendosi me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje të rishpallë dhe njëherë vakancën e Kryetarit, pas përfundimit të mandatit të Kristaq Traja dhe një anëtari të KDRTSH-së pas përfundimit të mandatit të Saimir Kumbaro.

Komisioni vendosi që të vijojë procedurën me zhvillimin e seancës dëgjimore me kandidatët e propozuar për anëtar të këtij Këshilli në mbledhjen e radhës së komisionit.

Mbledhja e sotme e komisionit u zhvillua përmes platformës virtuale të komunikimit “Cisco Webex”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.