Reshjet e dendura/ Prefektja e Shkodrës, Agoni: Rritje e nivelit të lumenjve, evakuohen 400 krerë bagëti në Trush

TIRANË, 26 janar /ATSH/ I gjithë territori i qarkut Shkodër është përfshirë nga reshje intensive shiu përgjatë 24 orëve të fundit.
Prefektja e Shkodrës, Majlinda Agoni bën të ditur se, “nisur nga kjo situatë, kemi rritje të nivelit të lumenjve, zgjerim të sipërfaqeve të tokave bujqësore nën ujë në njësinë administrative Dajç dhe Ana e Malit me 400 hektarë më shumë krahasimisht me ditën e djeshme kjo për shkak të prurjeve të mëdha të lumenjve Kir dhe Gjadër dhe prurjeve nga Mali i Zi, reflektuar në liqenin e Shkodrës”.
“Kalueshmëria me mjetet e ushtrisë është vështirësuar në Obot për shkak të rritjes së nivelit të ujërave, ndërkohë kemi bërë kërkesë për mbështetje me 4 mjete transporti të kalueshmërisë së lartë dhe 4 mjete ujore metalike”, u shpreh ajo.
“Aktualisht, janë angazhuar dy mjete të ushtrisë në fshatin Obot dhe një mjet lundrues i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, për të mbështetur komunitetin e fshatit me asistencë shëndetësore dhe ekipet e OSHEE për riparimin e defekteve në këtë zonë, ndërkohë niveli i ujit shkon në 115 cm në Obot. Ndërsa rruga që lidh Shirq-Darragjat është e bllokuar dhe niveli i ujit është mbi 1 m”, bën të ditur Agoni.
Sipas saj, falë angazhimit të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, është bërë evakuimi i menjëhershëm i rreth 400 krerë bagëti nga zona e përmbytjes Trush.
“Të gjitha strukturat e nivelit lokal dhe në nivel Prefekture janë në gatishmëri për të mirëmenaxhuar situatën nëpërmjet tē gjithë drejtuesve të institucioneve prej të cilëve informohemi se hidrovoret janë në punë, akset nacionale janë të gjitha të hapura.
Strukturat tona janë të angazhuara për përballimin e situatës aktuale dhe atë të pritshme e cila mund të precipitojë për shkak të vijimit të reshjeve”, deklaron Agoni. /j.p/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.