Qytetarja rrëfen se si mposhti COVID-19 me ndihmën e mjekes së familjes


TIRANË, 26 janar/ATSH-Bledi Naska/ Mjekët dhe infermierët vazhdojnë të shërbejnë me përkushtim dhe profesionalizëm për të prekurit nga COVID-19.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka publikuar rastin e një qytetareje e cila ka arritur të mposhtë COVID-19.

Nënë Adilja rrëfen eksperiencën e saj që ka pasur ndërkohë që trajtohej nga shtëpia me mbështetjen dhe këshillimin pa ndërprerje të mjekes së familjes nëpërmjet telefonit.

Ajo tregon se “doktoresha ka vepruar sikur të na kishte prind dhe jo pacient. Në mes të natës e merrte vajza në telefon dhe i thoshte që kam këtë apo atë shqetësim. Dhe këtë që them e kam me shumë sinqeritet. Unë i thosha vajzës që mos e merr në telefon në këtë orë, sepse e shqetëson. Kurse vajza më thoshte që, vetë doktoresha më ka thënë që mund të më marrësh në telefon në çfarëdolloj ore”.

“E them këtë gjë, pasi jo vetëm unë, por sidomos burri ishte shumë keq. E ka marrë në telefon orë pa orë për dy javë që ka ndenjur pranë duke na shërbyer. Jam shumë e kënaqur, pasi tani jemi më mirë, megjithëse burri e vazhdoi pak më gjatë mjekimin, kurse unë jam shumë mirë dhe ndihem shumë e kënaqur”, tha ajo, ndërsa shpreh mirënjohje për mjeken e saj të familjes.

Ministrja Manastirliu apelon qytetarët që të kontaktojnë mjekun e familjes për t’u testuar dhe për të marrë kurën antiCOVID falas. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.