Nuk ia bën njeri vendit të vet këtë që i bëjnë Shqipërisë ata që kanë një mikrofon për qëllime politike

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “nuk ia bën njeri vendit të vet këtë që i bëjnë Shqipërisë ata që kanë një mikrofon përpara. Që për t’i nxjerrë sytë njëri-tjetrit, janë gati ta shkelin Shqipërinë me këmbë orë e çast, duke i përhapur kudo një nam të pamerituar”.

Në një konferencë për mediet, i pyetur në lidhje me përgjimet e antimafias italiane, Rama u shpreh se, “ju e dini shumë mirë sesa i gatshëm jam unë ta mbroj Ilir Metën aty ku s’mbrohet, sot, po faktikisht nëse Ilir Meta përmendet aty me emër dhe me mbiemër. Nëse këshilltari i tij, që njihet edhe si tregtar lajmesh të rreme, i provuar nga gjykata italiane. Unë e njoh dhe e njoh, po nga gjykata italiane si tregtar lajmesh të rreme, në Itali për t’i bërë nënën vendit këtu, është aty, unë kam të njëjtin qëndrim edhe për ata. E po pastaj. E po pastaj. Ata mund të kenë njohje direkt me ata njerëz, po pastaj. Përderisa prokuroria italiane ka dhënë këtë konkluzion. E thotë qartësisht. Ato që ju lexua tre herë. Ku hyn tani këtu spekulimi që ky, ai?”.

Sigurisht, tha Rama, “që nga ky hetim rezulton që një deputet, i cili është lidhja e tyre, atje ka marrë goditje për shkak të këtij hetimi, ai deputet njihet botërisht që është miku i Lulzim Bashës dhe i Partisë Demokratike. Dhe lidhjet e këtyre njerëzve janë lidhje me të djathtën. Po pastaj, çfarë duhet të them unë. Duhet të them që Lulzim Basha priste këtë deputetin që e çonin mafiozët dhe i jepte fjalën se do të ndihmonte mafiozët. S’e them dot kurrë. Nuk e them dot kurrë sepse e dua Shqipërinë më shumë se ju. E dua me shumë se ju, sepse kam shumë më tepër kujdes edhe kur flas për kundërshtarët e mi, që çfarë i takon Çezarit të shkojë tek Çezari, por çfarë i takon Zotit të jetë e Zotit. Dhe Zoti është Shqipëria. Zoti është Shqipëria”.

“Është ky vend që një nga arsyet pse shumëkush do të ikë, është se është i pajetueshëm në këtë zallamahi, në këtë poshtërsi, në këtë maskaradë balte, shpifjesh, akuzash, kundër akuzash dhe poshtërsish. Kjo është pak, po është e sigurt. Nuk ja bën njeri vendit të vet këtë që i bëjnë Shqipërisë ata që kanë një mikrofon përpara. Që për t’i nxjerrë sytë njëri-tjetrit janë gati ta shkelin Shqipërinë me këmbë orë e çast, duke i përhapur kudo një nam të pamerituar”, theksoi Rama.

“A ka në Shqipëri probleme me të gjitha ato që janë të këqijat që luftohen në çdo vend? Po patjetër ka. E para ku nuk ka? Dhe e dyta si luftohen, sa luftohen, sa më shumë duhet të luftohen etj. etj. Ky është debati. Mos, se e bëtë Shqipërinë kazanin tuaj që e rrotulloni përditë, dokrra”, u shpreh Rama.

“Unë të them ja ujku, ti më tregon gjurmët. Këtu është burimi mbi të cilin ju keni ditë që keni torolisur këtë milet. Për çfarë? Për qëllime politike dhe për lidhjet me politikën. Si mund të bëhet politikë dhe si mund të luftohet politikisht duke i bërë vendit nënën? Si? Çfarë fitohet këtu? Kush fiton këtu? Ç’e do atë fitore, që bëre 5 veta më shumë të neveritur dhe të dëshpëruar që të thonë ik mo se s’bëhet ky vend. Ku kanë kohë njerëzit të hyjnë nëpër detaje. Ju jeni ata që keni gjithë ditën e perëndisë që të hyni nëpër detaje. Si mund ta furnizoni këtë milet me këto dokrra? Me këto pisllëqe. Pa i thënë një të vërtetë shumë të thjeshtë. Po jepe lajmin, po kanë dalë këto përgjime, po përmendet ky. Jepini të gjitha. Dhe në fund thoni, por prokuroria italiane thotë se këta mafiozë të mëdhenj në Shqipëri, si përfundim çfarë kanë bërë, kanë hapur një dyqan të vogël për shitjen e rrobave të punës. Turp!”, u shpreh Rama.

I pyetur nëse duhet të kërkojë që SPAK të fillojë një hetim, Rama tha se, “pse jam unë që duhet ta kërkojë këtë gjë. Institucionet bëjnë punën e vetë. SPAK e di detyrën e vet, nuk varet nga unë dhe nuk varet nga kërkesat e mia SPAK-u, shyqyr Zotit. Bën punën. Nëse ka diçka për të hetuar ta hetojë pa diskutim fare. Ku ta gjesh që ta hetojë SPAK-u, që të dalë edhe nga SPAK-u çfarë ka për të dalë. Por këtu është prokuroria italiane që e thotë. Unë habitem me ju çfarë kërkoni. Pse ju duhet patjetër”.

“Atë të politikanëve ta mbani për vete, se siç nuk janë mediat të gjitha njësoj. Siç nuk jeni ju të gjithë njësoj, nuk janë edhe politikanët të gjithë njësoj. Dhe patjetër që politikanët që kanë funksione publike kanë përgjegjësi të jashtëzakonshme, por po ka përgjegjësi të jashtëzakonshme keni dhe ju që duke krijuar një mjedis, ku në 10 gjëra 9 janë gënjeshtra dhe 1 është e vërtetë, nuk është se kontribuoni në fakt ashtu si duhet për të nxjerrë në pah të vërtetat dhe përmes të vërtetave për të ndihmuar në këtë luftë”, tha Rama.

“Paska shkuar në SPAK një padi për Erion Veliaj-n. Të shkojnë 1 mijë padi për të gjithë. Kjo nuk do të thotë asgjë. Paditë tek SPAK-u janë bërë pjesë e kësaj propagande. Janë bërë pjesë e kësaj poshtërsie nga ata të cilët e ushqejnë këtë kanal plot me llum, sepse nuk kanë asnjë mundësi tjetër, nuk kanë asnjë shpresë tjetër, nuk kanë asnjë ide tjetër sesi mund të fitojnë zgjedhjet. Dhe përshkallëzojnë vetëm prurjet e llumit. Ndërkohë, pikërisht se nuk jemi të gjithë njësoj unë po mbaj të njëjtin qëndrim për të gjithë ata. S’po them që mos shikoni ju se përmendet ky, se në fakt këtu është Ilir Meta, këtu është Ilir Kulla, këtu është Lulzim Basha. S’po i them fare. Pse flasin dy italianë atje dhe ne mbajmë përgjegjësi këtu. Po jeni në terezi nga trutë e kokës apo jo? Po si mund t’i bëhet vendit kjo gjë? S’e kam fare për vete, s’e për vete e di shumë mirë s’e çfarë jam, kush jam dhe sa pyes për këdo qoftë. Fare s’pyes për asnjeri përballë detyrës time dhe përballë raportit që kam me veten. Por e kam për faktin që ky popull, ky milet ka disa ditë që po dëgjon histori të ulët, të shpifur të neveritshme të cilën e rrotulloni ju vazhdimisht. Dhe kjo është neveri. Jo lajmi që doli. Bukuri jepet lajmi, thuhet kështu, thuhet ashtu. Po konkluzioni? Pse nuk del konkluzioni? Pse bëhen këto klube nga mëngjesi deri në darkë mbushur me njerëz që zdërhallen aty se politikanët, se këto, se PPP-të, se ato, se ndërtimet, se kullat. Pse? Pse? Për çfarë arsye? Dhe kjo është pyetja. Dhe kësaj pyetjeje duhet t’i përgjigjeni ju, jo unë”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.