Nafta falas për Bujqësinë/ Fermeri Petrit Koni aplikoi online: Na ul koston e punës

TIRANË, 26 janar /ATSH/ Në të gjithë vendin vijojnë aplikimet e fermerëve me NIPT në portalin e-albania për të përfituar naftën falas për punët në bujqësi.

Vetëm 10 ditë nga hapja e aplikimeve për të përfituar nga kjo skemë, interesi i fermerëve është shumë i lartë.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi ka sjellë shembullin e Petrit Konit, fermerit nga fshati Kodër e Bërxullit, që është një tjetër aplikues i suksesshëm në skemën e mbështetjes me naftë në Bujqësi.

“Një tjetër aplikues i suksesshëm në Skemën e Mbështetjes me Naftë në Bujqësi, sjell eksperiencën e tij. Thirrja për të aplikuar vijon të jetë e hapur për këdo fermer që disponon NIPT-in aktiv dhe ka dokumentacionin e nevojshëm të pronës”, shprehet Ekonomi.

“Aplikova në e-Albania, aplikimi u krye në rregull. Nuk pata probleme me dokumentacionin
Kjo skemë është shumë e mirë, sepse nafta është për të mirën tonë, për të punuar tokat
Edhe i bëj thirrje gjithë fermerëve që të aplikojnë për këtë skemë se është shumë e mirë”, shprehet fermeri Koni.

“Është e rëndësishme për tokat që të punohen dhe ne e kemi punë të përditshme. Kjo na ul koston e punës, koston e çmimit që ne paguanim më përpara për naftën Kjo është shumë mirë, ma do mendja që kjo do ecë shumë mirë”, vijoi fermeri.

Deri tani në këtë skemë kanë aplikuar 3200 fermerë ndërsa në zyrat e AREB dhe agropikat janë specialistët e bujqësisë që ofrojnë asistencën e tyre në aplikimin online që mbyllet më 25 shkurt 2021. e.xh/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.