Moti i keq/ Balluku: Punonjësit e OSHEE-së në krye të detyrës për të siguruar energji të pandërprerë

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Brigadat e mirëmbajtjes së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë, (OSHEE) po vijojnë në terren për të mundësuar ndërhyrjen e shpejtë në ]do zonë ku shkaktohen defekte për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin që prej fundjavës së shkuar.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se falë punës së këtyre punonjësve po sigurohet furnizimi pa ndërprerje me energji për konsumatorët.

“Në krye të detyrës për të siguruar energji të pandërprerë”, u shpreh Balluku, teksa publikoi pamje të punonjësve të OSHEEs-ë në terren.

Nga ana tjetër, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare bën të ditur se deri tani ka administruar situatën duke arritur të akumulojë në rezervuarët e hidrocentraleve sasinë e shtuar të prurjeve gjatë orëve të fundit, ndërsa po prodhon me kapacitete maksimale duke garantuar furnizimin e plotë me energji elektrike të konsumatorit vendas. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.