Mbi 3200 aplikime për naftë falas/ Numri i nipteve shkon në 49 mijë

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Mbi 3 200 fermerë kanë aplikuar që prej 15 janarit për t’u bërë pjesë e skemës mbështetëse të qeverisë që parashikon përjashtimin nga taksat të naftës për fermerët, ndërsa procesi po i shërben edhe formalizimit pasi ka rritje të fermerëve që po kërkojnë të pajisen me nipt.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Milva Ekonomi gjatë konferencës së përjavshme “Ekonomia në fokus”, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri, Edi Rama deklaroi se fermerët kanë paraqitur interes për t’u bërë pjesë e skemës, pasi numri i nipteve u rrit nga 47 mijë që ishte kur u prezantua skema, në 49 mijë aktualisht.

Aplikimet, vuri në dukje ajo, po vijojnë normalisht dhe fermerët po mbështeten nga eksportet e bujqësisë në pikat e AEB dhe Agropikat.

“Aplikimet po vijojnë normalisht. Disa ente të ministrisë po bashkëpunojnë për të ndihmuar fermerin. Po ashtu, kemi ndërmarrë fushata sensibilizuese për ndërgjegjësimin e fermerëve për të shkuar drejt aplikimit. Aplikimi është i thjeshtë“, tha ministrja.

Duke konsideruar edhe situatën e reshjeve, pandemisë apo vështirësinë për të siguruar ndonjë dokumentacion, Ekonomi tha se afati është i diskutueshëm.

Skema subvencionuese mbulon të gjithë ata fermerë që janë të regjistruar me NIPT dhe që kanë një sasi toke të punueshme më të madhe se 0.4 hektarë.

Në total, janë 70 mijë fermerë që plotësojnë kushtet për të përfituar nga skema, për të cilën shteti shqiptar ka vendosur në dispozicion në vitin e parë të zbatimit të saj një vlerë totale prej 9.5 miliardë lekë.

Përfituesit do të pajisjen me një kartë me çip dhe do të marrin sasinë e tyre falas në pikat e autorizuara të karburantit.

Skema mbështetëse e naftës për bujqësinë mbulon kryerjen e punimeve të mekanizuara për një numër kulturash bujqësore, si bimët e arrave, perimet e fushës dhe serrës apo drutë frutorë.

Dokumentet e nevojshme janë statusi aktiv i NIPT-it, dokumenti i pronësisë së tokës dhe një formular vetdeklarimi për kulturat bujqësore të mbjella.

Në bazë të këtij aplikimi përllogaritet sasia e karburantit falas që do të përfitohet nga fermeri, mbi bazën e një koeficienti të caktuar për secilën prej kulturave bujqësore.

Më 25 shkurt është afati i fundit i aplikimit për t’u bërë pjesë e skemës, ndërsa përgjigja për aplikimin merret brenda 30 ditësh. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.