Mbështetja për bujqësinë/ Rritje e konsiderueshme e prodhimit bujqësor në vend, u dyfishua sipërfaqja e tokës së punueshme

TIRANË, 26 janar/ASH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se falë mbështetjes për sektorin e bujqësisë kemi një rritje të konsiderueshme të prodhimit bujqësor në vend që reflektohet te raporti import-eksport i prodhimeve bujqësore, ndërkohë që është dyfishuar sipërfaqja e tokës së punueshme.

Në konferencën e përjavshme për shtyp me fokus bujqësinë, Rama tha se “ka një pasqyrë të qartë të një transformimi të rëndësishëm që ka marrë sektori, por që natyrisht duke e parë me sytë e të nesërmes është ende një bazë solide, por jo një ngrehinë e përfunduar”.

“Besoj se edhe në sektorin e bujqësisë vlen i njëjti parim. Nëse e shohim sektorin me sytë e të ardhmes nuk jemi aty ku duam, nëse e shohim me sytë e së shkuarës ndryshimi është si nata me ditën. Sot në sektorin e bujqësisë si në çdo sektor ka shumë për të përmirësuar. Është një arsye shumë e fortë për të vazhduar të shkojmë para për të mos u ndalur, për të mos bërë prapa, sepse nuk ka kohë as për ndryshim as për të ndryshuar rrugë. Kjo është rrugë qartësisht e drejtë”, tha Rama.

Ai theksoi se “faktet e shifrat flasin por nuk ka formulë magjike. E vetmja formulë për t’i bërë gjërat të ndryshojnë vijimësisht dhe për ta bërë të prekshëm për të gjithë është puna këmbëngulëse me besim dhe durim në rrugën e përcaktuar dhe konfirmuar për rezultatet e deritanishme”.

Kryeministri u ndal te raporti import-eksport. “Kur ne kemi nisur këtë rrugë Shqipëria importonte 7 dhe eksportonte 1, pra raporti import-eksport ishte 7 me 1 sa i takon prodhimeve bujqësore. Sot është 3 me 1 që do të thotë që gjysma e asaj që importohej më parë është zëvendësuar me atë që prodhohet në vend. Kjo tregon që kemi një rritje të konsiderueshme të prodhimit në vend, siç kemi në shifrat e eksportit një rritje si asnjëherë më parë”, tha ai.

Po ashtu, Rama tha se “toka e punuar është dyfishuar në sipërfaqe krahasuar me 7 vite më parë si rezultat i investimeve masive për të çuar ujin në parcelë dhe mbështetjes masive për të gjithë ata që besojnë te puna dhe meritojnë patjetër mbështetje më të madhe”.

“Nëse shohim të gjithë elementët e mbështetjes që qeveria garanton për njerëzit që punojnë tokën mbështetja është e shtrirë nga A-ja dhe Zh-ja me dhënien e naftës falas për fermerët në sasinë e barabartë me çka ata deri dje paguanin për taksën e qarkullimit, të mjedisit dhe për akcizën brenda çmimit të naftës. Faktikisht mbështetja është e strukturuar në të gjithë elementët e vetë, njësoj si në çdo vend të BE-së”, tha ai.

Patjetër, vijoi Kryeministri, që sasia e mbështetjes duhet rritur dhe do të vijë duke u rritur, por kjo rritje bazohet te rritja e mundësive dhe mundësitë rriten me punë.

“E çuam pagën minimale në 300 mijë lekë këtë vit. Kemi zeruar taksat për biznesin e vogël, është aktive edhe kjo masë. Kemi rritur pagat në mënyrë të konsiderueshme për mjekët e infermierët dhe këto i kemi bërë se kemi rritur mundësitë. Nuk janë masa të përkohshme. Pagat nuk janë rritur për të qëndruar përkohësisht, por për të qëndruar deri kur të rriten përsëri. Janë masa që kanë efekte financiare të shtuara për buxhetin dhe janë të mundura se buxheti mund t’i përballojë. Rritja e vendeve të punës cilësore me paga më të mira dhe rritja e pagave në tërësi është vetëm rezultat i rritjes së mundësisë, jo i dëshirave. Dhe mundësitë rriten me punë dhe vetëm me punë, jo me llafe, jo me portale, jo me kanale infektuese”, tha Rama. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.