TIRANË, 26 janar/ATSH/ Zyra Postare Librazhd është një nga zyrat e rikonstruktuara dhe të modernizuara në shërbim të publikut.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ishte pranë ambienteve të kësaj zyre ku banorët e qytetit Librazhd tashmë kanë mundësi që të aksesojnë disa shërbime.
“Janë 20 shërbime postare dhe financiare që mund të merren në 3 sportele në shërbimin e qytetarëve në 7 ditë të javës”, tha ai.
Gjatë muajve të karantinës 3 mijë pensionistë të Librazhdit morën pensionin në shtëpi.
Balla theksoi se “zyrat e Postës Shqiptare në Librazhd ishin në gjendje tejet të amortizuar dhe unë jam falënderues që u përzgjodh Librazhdi për rikonstruksion. Kemi kërkuar që të përfshihen edhe zyrat në njësitë administrative, pasi Zyrat e Postës janë kthyer në zyrat kryesore që ofrojnë shërbime, pas njësisë administrative”, tha Balla.
Po ashtu, Balla tha se në zyrën postare Librazhd ofrohet asistencë për aktivizimin e aplikacionit e-Posta.
“Përkushtim, cilësi dhe korrektësi maksimale. Gjithashtu vazhdon puna për rikonstruksionin edhe në disa njësi administrative”, shtoi Balla. /m.m/r.e/