Efektet e fiskalizimit për transaksionet midis FSDKSH dhe farmacive nisin më 1 korrik

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Rimbursimet e faturave mjekësore nuk paguhen nëpërmjet thesarit, por paguhen nga fondet e FSDKSH. Për rrjedhojë transaksionet midis FSDKSH dhe farmacive janë transaksione, efektet e fiskalizimit për të cilat fillojnë nga data 1 korrik 2021.

Subjektet që operojnë në fushën e tregtimit të produkteve farmaceutike mbartin detyrimin të fiskalizohen dhe të respektojnë procedurat ligjore të sipërcituara që prej datës 1 janar 2021, vetëm nëse kanë një marrëdhënie kontraktore me një entitet publik dhe shlyerja e transaksioneve objekt kontrate kryhet nëpermjet degëve të thesarit.

Nga ana e Urdhrit të Farmacistit, Fondit të Sigurimit të Detyrueshem të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), dhe subjekteve tatimpagues që operojnë në këtë sektor është ngritur një shqetësim lidhur me trajtimin e transaksioneve të lidhura me rimbursimin e ilaceve të rimbursueshme nga ana e FSDKSH për efekt të procesit të fisklaizimit.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Urdhri i Farmacistëve përmes një deklarate të përbashkët informuan bizneset që operojnë në fushën e tregtimit të produkteve farmaceutike, me qëllim sqarimin e çdo paqartesie të subjekteve tatimpagues si dhe shmangien e abuzimeve apo keqinterpretimeve.

Ligji “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkulllimit” ka nisur të zbatoeht prej datës 1 janar për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve dhe organeve publike. Për transaksionet pa para në dorë ndërmjet tatimpaguesve, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 korrik 2021.Për transaksionet me para në dorë nga tatimpaguesit, pavarësisht përgjegjësisë tatimore apo qarkullimit vjetor të realizuar, efektet e këtij ligji fillojnë më 1 shtator 2021.

Transaksione B2G janë transaksionet që paguhen nga institucionet buxhetore, kryesisht në vijim të një procedure standarte prokurimi.

“Rimbursimet e faturave mjekësore nuk paguhen nëpërmjet Thesarit, por paguhen nga fondet e FSDKSH. Për rrjedhojë transaksionet midis FSDKSH dhe farmacive janë transaksione efektet e fiskalizimit për të cilat fillojnë nga data 1 korrik 2021”, sqaruan Tatimet. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.