Dita Ndërkombëtare e Doganave/ Shërbimet online përmirësuan shërbimin ndaj biznesit, u kursyen 232 ditë pune në një vit

TIRANË, 26 janar/ATSH/ Rritja e cilësisë në ofrimin e shërbimeve doganore ndaj biznesit dhe qytetarëve, është në fokus të Administratës Doganore Shqiptare.

Në ditën ndërkombëtare të Doganave, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur se përmes procesit të digjitalizimit, u vihet në ndihmë operatorëve ekonomikë, duke reduktuar kohën dhe rritur cilësinë e ofrimit të shërbimeve.

Sipas Denaj, gjatë vitit 2020 janë kryer 928 aplikime online duke u kursyer kështu operatorëve ekonomikë 1856 orë, ose 232 ditë pune.

Tradicionalisht, për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Doganave (ICD) çdo vit Sekretariati i OBD-së kushton një temë që është e rëndësishme për sfidat me të cilat ballafaqohet bashkësia doganore globale.

Slogani i zgjedhur për vitin 2021 është “Forcimi i doganave, rimëkëmbja, rinovimi dhe qëndrueshmëria për një zinxhir të qëndrueshëm furnizimi”.

Në kalendarin e festave ndërkombëtare, data 26 janar, shënjon si “Dita Ndërkombëtare e Doganave”.

Organizata Botërore e Doganave është zëri i 179 administratave doganore, që operojnë në të gjithë kontinentet, treçereku i të cilave janë vende në zhvillim.

Shqipëria është anëtare e OBD-së që prej gushtit 1992, dhe që prej asaj kohe merr pjesë aktivisht në takimet e Këshillit të OBD-së, komiteteve dhe nën komiteteve, duke përfituar nga eksperiencat më të mira të vendeve të zhvilluara dhe duke i implementuar ato në sistemin tonë doganor.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.