UASHINGTON – SHBA përshëndet rifillimin e bisedimeve Turqi-Greqi

UASHINGTON, 25 janar /ATSH-AA/ – SHBA ka përshëndetur raundin e parë të bisedimeve midis Greqisë dhe Turqisë pas pothuajse pesë viteve, të cilat kanë për qëllim zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për energjinë dhe kufirit në Mesdheun Lindor.

Në llogarinë e tij në twitter, zëdhënësi i Departmentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, njoftoi se SHBA-ja përshëndet rifillimin e bisedimeve mbi eksplorimet sot në Stamboll midis Greqisë dhe Turqisë, si dhe angazhimin e të dy qeverive për këtë proces.

Negociatat përfshinin diskutime të çështjeve të pazgjidhura nga negociatat e mëparshme, si dhe situatën aktuale, zhvillimet e fundit dhe hapat e mundshme që do të ndërmerren para raundit tjetër që do të mbahet në Athinë.

Më 11 janar, ministri turk i Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu, ftoi Greqinë për të rifilluar bisedimet, ndërsa kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, një javë më vonë pranoi ftesën.

Bisedimet mbi eksplorimet midis Turqisë dhe Greqisë, të destinuara për të arritur zgjidhje të drejta për çështjet në Egje, filluan në vitin 2002. Pas raundit të 60-të të bisedimeve në mars të vitit 2016, Athina pezulloi takimet.

Turqia, e cila ka vijën bregdetare më të gjatë kontinentale në Mesdheun Lindor, ka mohuar pretendimet e kufijve detarë nga Greqia dhe Qiproja Greke, duke theksuar se ato shkelin të drejtat sovrane të Turqisë dhe Qipros Turke.

Liderët turq në vazhdimësi kanë theksuar se Ankaraja është në favor të zgjidhjes së problemeve të pazgjidhura në rajon përmes ligjit ndërkombëtar, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, dialogut dhe negociatave./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.