U dëmtua nga reshjet e shiut/ Prefekti Mamaj për ATSH-në: Vendosen kufizueset e betonit në rrugën Vlorë-Orikum

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Në rrugën që lidh Vlorën me Orikumin, në vendin e njohur si “Zhironi” e dëmtuar nga reshjet e shiut, janë vendosur kufizueset e betonit.

Prefekti i qarkut të Vlorës, Flamur Mamaj, tha për ATSH-në se “instalimi i kufizueseve të betonit u bë si masë për garantimin e sigurisë së mjeteve. Lëvizja do kryhet me një kalim, e rregulluar me sinjalistikën përkatëse”.

Kufizueset e betonit u vendosën falë bashkëpunimit të kontraktorit të rrugës dhe prefektit të Vlorës Mamaj, i cili po ndjek nga afër situatën në rrugët e dëmtuara të qarkut të Vlorës.

Prefekti Mamaj tha se “edhe në fshatin Bashaj në Selenicë ka filluar puna për eleminimin e rrezikut nga shkëmbinjtë”.

Shirat intensive mbrëmjen e djeshme dëmtuan rrugën nacionale Vlorë-Orikum, në vendin e njohur si “Zhironi”, por me vendosjen e kufizueseve pritet të kthehet në normalitet.

 

/k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.