Thirrja e tretë e IPARD II, financon 60% të investimit/AZHBR apel fermerëve: Aplikoni, sot dita e fundit e afatit

TIRANË, 25 janar /ATSH/ Sot është dita e fundit e afatit të aplikimeve në thirrjen e tretë të Programin IPARD II.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bën thirrje se, mirëpret edhe sot (datë 25 janar, ora 24:00) aplikimet e të gjithë atyre fermerëve dhe sipërmarrësve, që duan të përfitojnë mbështetje grant, për investimet në bujqësi.

Aplikimet për thirrjen e tretë të programit IPARD II u çelën në 10 dhjetor 2020 deri më 26 janar 2021.

Buxheti i përgjithshëm në dispozicion të kësaj thirrje është 29.1 milionë euro nga të cilat 75 % ose 21.82 milionë euro kontribut i BE dhe 25 % ose 7.28 milionë euro kontribut i buxhetit të shtetit.

Masa e grantit fillon nga 60 % e investimeve të lejuara. Për fermerët e rinj masa e grantit shkon në 65 % dhe për fermerët për zonat malore masa e grantit shkon në 70 %.

Në thirrjen e tertë, për masën 1 “Investime në asete fizike në fermat bujqësore” do të mbështeten të gjithë sektorët e përcaktuar në programin IPARD II, qumësht, mish, fruta-perime dhe vreshta.

Ndërsa për masën 3, ”Investime në asete fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore dhe të peshkimit” do të mbështetet vetëm sektori përpunimit të fruta-perimeve, dhe jo sektorët e tjerë të kësaj mase.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural prej disa javësh ka zhvilluar sesione informuese për fermerët se si mund të aplikojnë për të qenë përfitues të këtyre skemave.

Ndërsa në dy thirrjet e para të këtij program u kryen rreth 800 aplikime dhe deri tani janë lidhur kontrata me 241 përfitues nga fondet e IPARD II që financohet nga qeveria shqiptare dhe BE. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.