Reshjet e dendura/ Peleshi: Më pak dëme nga përmbytjet falë investimeve të viteve të fundit, monitorim situatës

TIRANË, 25 janar /ATSH – I. Vata/ “Jemi në gatishmëri dhe prezent në zonat nën ujë për shkak të reshjeve të dendura”, deklaroi sot në një intervistë televizive, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ndërsa theksoi se prurjet e ditëve të fundit ishin dy herë më të mëdha se në 2010, por shkaktuan dy herë më pak dëme, falë investimeve të bëra në kanalet kulluese dhe vaditëse.

Duke folur situatën e krijuar nga reshjet, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi tha se përmbytjet tashmë janë një fenomen që na shoqërojnë prej shumë vitesh dhe padyshim ka shpjegimin e vet. Shpjegimi kryesor më shumë se fenomen natyror, sipas tij, është sjellja jonë në 30 vite me natyrën.

“Qindra-mijëra hektarë pyje janë shpyllëzuar. Kemi mbi 400 mijë ndërtime pa leje të ndërtuara në këto 30 vite dhe shumë prej tyre kanë qenë të padisiplinuara, të pakontrolluara, të paplanifikuara, janë ndërtuar pa kriter dhe shpesh herë kanë dëmtuar rrjetin e kanaleve ujitëse, kulluese, të argjinaturave të shtretërve të lumenjve. Të gjitha këto janë shkaqet e pasojës me të cilën ne luftojmë çdo vit”, tha ai.

Peleshi tha se këtë vit patëm një fenomen, patëm prurje dy herë më të larta se në vitin 2010 dhe nuk sollën dëme.

“Të gjitha këto na vërtetojnë se ka qenë rruga e drejtë në investime për pastrimin e kanaleve vaditëse dhe kulluese duke shtuar forcat dhe ndarë përgjegjësinë edhe me pushtetin vendor. Ne u kemi dhënë kompetencën edhe mjete 61 bashkive për kanalet sekondare. Kemi ndarë 61 ekskavatorë të rinj, ndërkohë që flota e trashëguar ishte e viteve ’60. Bashkitë nuk e kishin në përgjegjësinë e tyre kanalet vaditëse dhe kulluese, por kishin vetëm bordin e kullimit, por nuk e kanë kompetencën e kryetarit të bashkisë. Kemi një situatë krejt ndryshe me të kaluar për kanalet kulluese dhe vaditëse. Po ashtu edhe kolektorët janë në të gjithë në punë. Edhe në këtë përmbytjen e fundit dhe për këto arsye nuk kemi pasoja dhe dëme të mëdha”, u shpreh Peleshi.

Peleshi tha se sot ka qenë e nevojshme ndërhyrja në zonën e Sukthit dhe të Shijakut ku janë dërguar 20 forca, gomone për evakuimin e 8 familjeve, 5 prej së cilëve janë akomoduar te konvaleshenca e Ministrisë së Brendshme, 3 familje tek të afërmit. “Jemi në gatishmëri dhe prezent në këto zona që janë nën ujë, janë disa qindra hektarë nën ujë”, u shpreh Peleshi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.